Panairi i Karrierës 2021, u mbajt në mënyrë virtuale, ku morën pjesë një numër i madh i kompanive ekspozuese, të cilat ofruan punë të rregullt dhe punë praktike për studentët dhe të diplomuarit.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit në Panair dhe tha se ky Panair ka një rëndësi të veçantë për universitetin tonë, sepse përfitojnë studentët dhe të diplomuarit tanë. Gjithashtu, ai u shpreh i lumtur që Universiteti e ka bërë traditë organizimin e panaireve.
“Universiteti ynë ka një bashkëpunim shumë të ngushtë me industrinë, i cili është duke dhënë rezultate të jashtëzakonshme në edukim dhe zhvillim të arsimit të lartë në Kosovë, sepse duke punuar së bashku me ta, ne po i njohim më mirë kërkesat e tregut të punës, të cilat pastaj po barten në programet tona në universitet dhe në këtë mënyrë studentët tanë po përfitojnë aftësi e shkathtesi që sapo të diplomohen të jenë të gatshëm nga ana profesionale që t’u përgjigjen kërkesave të tregut të punës”, tha Rektori.
Poashtu, Rektori Bajraktari tha se interesimi i madh i kompanive për të marr pjesë në Panair, është një motiv i madh për për ne, për të punuar edhe më shumë në zhvillimin e Universitetit, njëherit tregon besueshmërinë e tyre në Universitetin tonë dhe për këtë i falënderoi dhe iu premtoi se Universiteti do të vazhdojë të jetë pranë tyre dhe si gjithmonë do t’i përfillë kërkesat e tyre për të arritur suksese të vazhdueshme në zhvillimin e mëtutjeshëm të Universitetit, gjë që përmbush edhe misionin e Universitetit tonë. Në veçanti, ai falëndëroi GIZ-in gjerman, i cili çdo vit po e mbështetë Panairin në UShAF.
Rektori iu dëshiroj suksese studentëve dhe të diplomuarve të UShAF, si dhe pjesëmarrësve tjerë dhe uroi që kjo ditë të jetë ditë e sukseshme për të gjithë, dhe të gjejnë veten në njërën nga kompanitë ekspozuese e të avancohen në karrierën e tyre në të ardhmen.
Panairi Virtual i Karrierës 2021, u organizua nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, mbështetur nga GIZ-i gjerman.