Në bazë të nenit 5 të Ligjit nr. 04/L-135 të Republikës së Kosovës për Veprimtari Kërkimore- Shkencore, nenit 148 të Statutit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), nenit 12, të Rregullores për mbështetjen financiare, stimulimin dhe shpërblimin e punës kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuar në UShAF, me nr. prot.: 641/26; Datë: 30.03.2026, si dhe vendimit të Senatit të UShAF nr. 1380/26 të datës 21.05.2026, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), më datë. 28.05.2026, shpall:
THIRRJE:
PËR APLIKIM PËR MBËSHTETJE FINANCIARE DHE SHPËRBLIM TË VEPRIMTARISË KËRKIMORE-SHKENCORE, ARTISTIKE DHE TË APLIKUAR
Të drejtë aplikimi ka i gjithë stafi akademik i rregullt në UShAF, i cili ka realizuar veprimtari kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuara, në përputhje me kategoritë dhe kriteret e përcaktuara në Rregulloren për mbështetjen financiare, stimulimin dhe shpërblimin e punës kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuar.
Kjo përfshin:
- Shpërblim për publikime shkencore në revista të indeksuara në platformat Clarivate Analytics – Web of Science (SCIE, SSCI, AHCI dhe ESCI) dhe SCOPUS (Q1, Q2, Q3 dhe Q4), si dhe për libra dhe kapituj librash, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Rregullore;
- Mbështetje financiare për pjesëmarrje në aktivitete kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuara, përfshirë konferenca, kongrese, simpoziume, forume, punëtori shkencore, veprimtari artistike dhe krijuese, aktivitete të transferimit të njohurive, inovacionit, pronësisë intelektuale, zhvillim të prototipeve dhe produkteve inovative, pjesëmarrje në panaire dhe ngjarje profesionale, si dhe aktivitete me përfshirjen e studentëve nën mentorimin e stafit akademik të prezantuara në nivel ndërkombëtare dhe vendor me karakter ndërkombëtar, në përputhje me kushtet, kriteret dhe kategoritë e përcaktuara në Rregullore;
- Shpërblim për aplikim dhe realizim të projekteve ndërkombëtare Horizon Europe, Erasmus+, si dhe projekteve të tjera ekuivalente, në përputhje me kushtet dhe kriteret e përcaktuara në Rregullore.
Veprimtaritë kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuara, të realizuara në revista, konferenca, ngjarje apo platforma të dyshimta, ose që nuk përmbushin standardet akademike dhe kriteret e përcaktuara me Rregullore, nuk do të mbështeten financiarisht apo shpërblehen nga UShAF.
Do të merren në konsideratë vetëm veprimtaritë kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuara të realizuara pas mbylljes së thirrjes së fundit për mbështetje financiare dhe shpërblim nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Kërkesa për mbështetje financiare dhe/ose shpërblim protokollohet në administratën qendrore të Universitetit dhe dorëzohet në Zyrën për Mbështetjen e Kërkimeve Shkencore, brenda afateve të përcaktuara në thirrje.
Kërkesën për shpërblim të artikujve/publikimeve shkencore duhet ti bashkëngjiten dokumentet si në vijim:
- Formulari i kërkesës (Formulari 1) në forme fizike
- Kopje e punimit te publikuar/librit apo kapitullit të librit,
- Dëshmi e indeksimit të punimeve në platformat WoS dhe Scopus, si dhe dëshmi që librat apo kapitujt shkencore janë botuar në shtëpi botuese të përcaktuara në nenin 13 të kësaj Rregulloreje.
Kërkesën për mbështetje financiare të pjesëmarrjes në aktivitete kërkimore shkencore, artistike dhe të aplikuara duhet ti bashkëngjiten dokumentet si në vijim:
- Formulari i kërkesës (Formulari 2) në formë fizike
- Programi i ngjarjes (konferencë, simpozium, punëtori, forum shkencor, veprimtari artistike e krijuese ose panair), me agjendë ku figuron titulli i punimit/produktit/projektit/ekspozitës/performancës/instalacionit dhe emri i autorit.
- Dëshmia (kopje) e punimit/produktit/projektit/ekspozitës/performancës /instalacionit të publikuar/prezantuar si dhe vegëza e publikimit të punimit në librin e abstrakteve dhe punimeve të konferencës/ngjarjes.
- Dëshmia e tarifës së regjistrimit (registration fee)
- Certifikata e pjesëmarrjes (nëse jepet)
- Dëshmi të tjera të pjesëmarrjes (foto, video të prezantimit në konferencë, ku duken ambientet e konferencës dhe vendngjarja me materiale identifikuese (banerë, logo, etj.).
- Dokumentacioni zyrtar i ftesës për aktivitetin apo ngjarjen për kandidatin, në cilësinë e folësit, panelistit, kryetarë të takimeve/sesioneve ose në pozicione të ngjashme
- Dokumentacion zyrtar për kandidatin i cili është pjesë në bordet shkencore, organizative apo ekzekutive të konferencës/ngjarjes.
- Për artikuj me pronësi intelektuale, mjafton vetëm dëshmia e pronësisë
- Dëshmia e udhëtimit dhe akomodimit. Dëshmia e udhëtimit paraqitet përmes biletës së mjetit të udhëtimit (aeroplan, autobus, tren etj.). Në rast se udhëtimi është realizuar me automjet personal, duhet të ofrohet dëshmi e pagesës së taksave rrugore, nëse aplikohet. Nëse në pasaportë është vendosur vulë hyrje/dalje, duhet të ofrohet kopje e faqes përkatëse të pasaportës për ditën e udhëtimit dhe të kthimit. Dëshmia e akomodimit (përjashtimisht Kosovë) paraqitet përmes faturës së hotelit ose dëshmisë së pagesës online (p.sh. përmes Booking.com, Airbnb ose platformave të tjera të ngjashme).
Për aplikimet që lidhen me projektet ndërkombëtare Horizon Europe, Erasmus+ dhe projektet e tjera ekuivalente, aplikuesi duhet të dorëzojë dokumentacion relevant që dëshmon aplikimin, rolin dhe rezultatin e projektit. Komisioni për veprimtari kërkimore-shkencore, artistike dhe të aplikuara, sipas natyrës së projektit dhe dokumentacionit të disponueshëm, mund të kërkojë dëshmi shtesë relevante për shqyrtimin e kërkesës.
Aplikimi bëhet nga data 28.05.2026 deri me datë 16.11.2026 ne ora 16:00. Nuk do te merren parasysh projektet me dokumentacion të pakompletuar dhe të dorëzuara pas afatit.