Adresa:

Rr. Universiteti, p.n. 70000 Ferizaj, Republika e Kosovës.

Mob:

+383 44

Web:

ushaf.net

Prof.Asoc.Dr. Idriz Kovaçi

Mësimdhënës

Prof.Asoc.Dr. Idriz Kovaçi që nga viti 2018 punon si profesor i rregullt në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në Fakultetin e Turizmit dhe Ambientit, përkatësisht në departamentet e “Menaxhment i Hotelierisë dhe Turizmit” dhe “Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm”.

Dr. Kovaçi studimet universitare në nivelin bachelor dhe master i përfundoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”. Ndërsa studimet e doktoraturës i përfundoi në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, ku në vitin 2008 fitoi titullin “Doktor i Shkencave Ekonomike në fushën e Politikës Fiskale”. Disertacioni i tij ka titullin “Implikacionet e të ardhurave publike mbi investimet në Republikën e Maqedonisë”.

Në periudhën 1999-2001, ai punoi si administrator dhe konsulent në Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, në Zyrën për Zhvillim të Rajoneve të Pazhvilluara në Shkup. Në vitet 2001-2006, ai ishte këshilltar në Ministrinë e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë dhe udhëheqës i Sektorit të Njësisë Rajonale në Shkup. Ndërsa në vitin 2006, punoi si Zëvendës Udhëheqës i Sektorit për Zhvillim Ekonomik Lokal në Shkup, veçanërisht në fushën e turizmit dhe hotelerisë.

Përveç angazhimit akademik në UShAF, ai ka punuar edhe në Universitetin Shtetëror të Tetovës, dhe në disa Universitete të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Gjatë periudhës së viteve 2008-2017 ai ka punuar si profesor inordinar në Universitetin “FON” në Shkup; 2009-2010 si profesor vizitor në Universitetin “AAB” në Prishtinë; 2011-2015 si profesor vizitor në Kolegjin “Vizioni Për Arsim – VPA” në Ferizaj; 2012-2014 si profesor vizitor në Kolegjin “Gjilani” në Gjilan; 2014-2015 si profesor vizitor në “Kolegjin Evropian të Kosovës” në Prishtinë; 2014-2016 profesor vizitor në “Universitetin e Shkencave të Aplikuara” në Ferizaj; dhe në vitin akademik 2017-2018 punoi si profesor i rregullt në Kolegjin “Arbëri” në Gjilan.

Idriz Kovaçi është mjaft aktiv sa i përket anës shkencore. Ndër punimet e tij të publikuara në revista shkencore ndërkombëtare të indeksuara në platformat Scopus ose Web of Science përmenden: Turizmi i qëndrueshëm si potencial për promovimin e trashëgimisë rajonale, ushqimit lokal, traditave dhe diversitetit – Rasti i Kosovës” (2022), “Ndikimi i motivimit në performancën e punonjësve në industrinë e hotelerisë” (2022), “Procesi i komunikimit në ndërmarrjet në Kosovë: Llojet dhe drejtimi i rrjedhës” (2021), “Industria e Turizmit dhe Hotelierisë: Përkufizimi, konceptet dhe zhvillimi – Rasti i Kosovës” (2021), “Organizimi si një funksion i menaxhmentit dhe llojet e strukturave organizative që zbatohen në NVM-të në Kosovë” (2021), “Vendimmarrja dhe aplikimi i teknikave të vendimmarrjes në NVM-të në Kosovë” (2021) dhe shumë të tjera.

Ai ka investuar përpjekje të vazhdueshme dhe energji të madhe në punën dhe angazhimet e tij akademike, duke synuar që të zhvillohet dhe të avancoj edhe më tej në fushat e tij të interesit.

This post is also available in: English