Ky është rrëfimi i studentes Natyrë Ramusholli, i një vajze të vendosur dhe të pasionuar që zgjodhi të ndjekë fushën e arkitekturës së interierit si karrierë. Fillimisht, ajo zgjodhi të ndjekë studimet në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit.

Ende pa mbaruar studimet bachelor, Natyra arrinë të angazhohet në “Debora Interiors”, një ndërmarrje ndërkombëtare e dizajnit të interierit, me ç’rast, ajo pozicionohet si arkitekte e interierit në këtë vend pune, duke filluar udhëtimin drejt sukseve të radhës.
Puna në këtë kompani i hapi dyert e një spektri të gjerë të projekteve në të gjithë botën. Ajo ka pasur rastin të punojë në mbi 100 projekte në vende të ndryshme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretërinë e Bashkuar, Evropë, Australi dhe Emiratet Arabe. Çdo projekt ka qenë një sfidë e re dhe një përvojë e pasur që i ka hapur rrugën për njohuri të thella dhe aftësi të zhvilluara. Edukata e fituar gjatë viteve të studimeve dhe pasioni i saj për dizajnin e bëjnë të qëndrojë në krye të projekteve.
Pas përfundimit të periudhës së studimeve bachelor, ajo vazhdon të ndjekë studimet e masterit në Arkitekturën e Gjelbër dhe Dizajnin e Interierit në po të njejtin Fakultet. Kjo zgjedhje e reflekton dëshirën e saj për të ndikuar pozitivisht në mjedisin që e rrethon.

“Jam shumë mirënjohëse ndaj UShAF për mundësinë që më ofroi për të nisur këtë udhëtim si arkitekte e interierit dhe dizajnere e mobileve, një fushë që ka ende nevojë për njohuri, zhvillim dhe për një rëndësi më të madhe në vendin tonë.”

 

Me përkushtimin dhe pasionin e saj të pandalshëm, ajo është gati të krijojë ndryshime të mëdha në botën e arkitekturës dhe dizajnit të interierit. Ky është suksesi i saj, kjo është historia e saj, dhe kjo është vetëm fillimi i një udhëtimi të gjatë dhe të frytshëm në fushën e dizajnit.

 

                                                                                           

This post is also available in: English