Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), bashkë me Prorektoren për Bashkëpunim me Industri, Punë Praktike dhe Aktivitete Komerciale, Etleva Blakaj, morën pjesë në Panairin Studentor 2025, të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës.

Ky aktivitet mblodhi institucione arsimore, ku studentëve të UShAF iu dha një mundësi e vlefshme për të treguar se si institucioni ynë nuk është vetëm vend ku mësohet aspekti teorik, por ku krijohet, eksperimentohen ide dhe ndërtohen projekte prej të rinjve që aspirojnë të jenë profesionistë të së ardhmes. Pjesëmarrja i dha mundësi UShAF të pasqyrojë qasjen që ka, një edukim që lidhet me tregun, inovacion dhe bashkëpunim.

Studentët e UShAF patën mundësinë që para të pranishmëve të prezantojnë punën e tyre praktike dhe kreativitetin që zhvillojnë në kuadër të aktiviteteve që organizohen nga universiteti. Ata prezantuan projekte të realizuara gjatë ekspozitës vjetore “Profesionistët e së Ardhmes”, Panairit të Punës, praktikës profesionale, punës në laboratorët e UShAF, aktiviteteve jashtë universitetit dhe garave të ndryshme si ajo e organizuar nga Shoqata e Drurit.

Pjesëmarrja në këtë panair ishte një dëshmi e përkushtimit të UShAF për të ofruar një arsim të orientuar drejt praktikës dhe kërkesave të tregut, duke e vendosur studentin në qendër të zhvillimit profesional dhe krijimit të lidhjeve të reja me industrinë.