Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në bashkëpunim me GIZ-in gjerman, organizoi me sukses Panairin e Punës dhe Karrierës, i cili u zhvillua në ambientet e universitetit, ku morën pjesë përfaqësues të Komunës së Ferizajt, biznese partnere, staf akademik, administrativ dhe studentë.
Në Panair morën pjesë kompani nga e gjithë Kosova, të cilat ofruan mundësi punësimi, praktika profesionale dhe bashkëpunim të drejtpërdrejtë me studentët. Ndër pjesëmarrësit ishin edhe kompani të themeluara nga vetë studentët e UShAF, dëshmi e frymës sipërmarrëse dhe përgatitjes cilësore që universiteti u ofron të rinjve.
Ngjarja u hap nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili theksoi rëndësinë e këtij panairi si një platformë reale që i ndihmon studentët të kalojnë nga teoria në praktikë dhe të përgatiten për sfidat e tregut të punës. Në fjalimin e tij, Rektori theksoi se ky panair është dëshmi e përkushtimit të universitetit për të krijuar ura bashkëpunimi të qëndrueshme me industrinë, si dhe për të siguruar që programet studimore të jenë në përputhje të vazhdueshme me kërkesat e tregut. Ai potencoi se studentët e UShAF jo vetëm që përgatiten akademikisht, por edhe tregojnë aftësi dhe përkushtim që i bëjnë të përshtatshëm për sfidat reale të punësimit.
Gjithashtu, Rektori falënderoi GIZ-in gjerman për mbështetjen e vazhdueshme jo vetëm për këtë panair, por edhe për projekte të tjera zhvillimore në kuadër të universitetit. Fjalën e tij ai e përmbylli me një mesazh inkurajues për studentët, duke u uruar që kjo ngjarje të jetë një pikënisje drejt një karriere të suksesshme dhe të qëndrueshme.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Ferizaj, z. Afrim Llabjani, në fjalimin e tij, vlerësoi punën e universitetit për orientimin praktik të programeve studimore dhe rolin e tij në përgatitjen e të rinjve për tregun e punës. Ai theksoi se një arsim cilësor është themel i zhvillimit të qëndrueshëm dhe i një shoqërie të përgjegjshme.
Kryetari i Bordit Industrial, z. Enver Haziri, e cilësoi panairin si një shembull konkret të ndërlidhjes efektive midis ofertës dhe kërkesës në tregun e punës. Ai përgëzoi studentët për përgatitjen e tyre profesionale dhe shprehu gatishmërinë e bizneseve për të mbështetur më tej zhvillimin e tyre.
Leona Jahiri, studente e UShAF, shprehu mirënjohjen e saj për Rektorin Bajraktari, duke theksuar se ai nuk është vetëm drejtues institucional, por edhe një mik i afërt për studentët, gjithmonë i gatshëm t’i presë, t’i dëgjojë dhe t’i mbështesë në mënyrë të vazhdueshme në rrugëtimin e tyre profesional. Jahiri gjithashtu falënderoi stafin akademik për angazhimin e tyre në ofrimin e një përgatitjeje cilësore dhe mbështetje të vazhdueshme gjatë procesit të studimeve.
Panairi shërbeu jo vetëm si një mundësi punësimi për studentët, por edhe si një hap domethënës në rrugën e bashkëpunimit afatgjatë ndërmjet UShAF dhe industrisë.