Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), organizoi Ceremoninë e Diplomimit për studentët e nivelit bachelor dhe master, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në jetën akademike të tyre. Në një atmosferë solemne dhe plot emocione, ceremonia mblodhi studentë, prindër, familjarë, stafin akademik dhe administrativ, të cilët së bashku ndanë gëzimin e përfundimit të këtij rrugëtimi universitar.

Ceremonia u hap me intonimin e Himnit Kombëtar, Himnit të Republikës së Kosovës, dhe Himnit të Akademisë, duke i dhënë aktivitetit një karakter të veçantë solemn.

Me një fjalë rasti, Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari, përgëzoi studentët për përkushtimin dhe suksesin e arritur, duke theksuar se rrugëtimi universitar nuk përfaqëson vetëm fitimin e dijes, por edhe formimin profesional dhe njerëzor. Ai falënderoi studentët për besimin që i dhanë universitetit, ndërsa një mirënjohje të veçantë shprehu për prindërit dhe familjarët, të cilët i cilësoi si mbështetësit më të mëdhenj të suksesit të tyre. Në fjalimin e tij, rektori i inkurajoi studentët të vazhdojnë të mësojnë, të besojnë në potencialin e tyre dhe të jenë ambasadorë të denjë të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Gjithashtu, rektori tha se kjo ditë është e mundur falë sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit. Ai shprehu respekt për krerët e UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë, duke uruar që në ceremoninë e vitit të ardhshëm t’i kemi pranë nesh në Kosovë.

Në emër të studentëve, të pranishmëve iu drejtua studentja Blerona Duga, e cila, përmes një fjalimi emocional, shprehu mirënjohjen për universitetin, profesorët dhe familjarët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë viteve të studimeve. Ajo theksoi se përvoja në UShAF nuk u kufizua vetëm në marrjen e njohurive akademike, por ishte një periudhë që i ndihmoi studentët të rriteshin profesionalisht dhe personalisht.

Një nga momentet më të veçanta të ceremonisë ishte ndarja e certifikatave për studentët, të cilat u dorëzuan nga Rektori Bajraktari dhe dekanët e njësive akademike, duke simbolizuar përmbylljen me sukses të një etape të rëndësishme të formimit të tyre universitar.

Ceremonia u përmbyll me hedhjen tradicionale të kapelave në ajër, një moment plot emocion, buzëqeshje dhe krenari, që shënoi fillimin e një kapitulli të ri për të diplomuarit e Universitetit.

UShAF u uron të gjithë studentëve suksese në rrugëtimin e tyre profesional dhe personal, me bindjen se dijet, vlerat dhe përvojat e fituara gjatë studimeve do t’i shoqërojnë në çdo hap të së ardhmes.