Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), përkatësisht të Fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikës, të shoqëruar nga profesorët, realizuan një vizitë studimore në Fakultetin e Informatikës në Universitetin e Durrësit dhe në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës.

Në Fakultetin e Informatikës në Universitetin e Durrësit, delegacioni u prit nga Dekanja, Anjeza Krakulli, së bashku me bashkëpunëtorët e saj, ndërsa në Fakultetin e Shkencave të Natyrës në Universitetin e Tiranës, pritja u organizua nga Dekanja, Eglantina Kalluci, e cila së bashku me stafin e saj mirëpriti pjesëmarrësit nga UShAF. Për një pjesë të stafit akademik, kjo vizitë kishte edhe rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve të mëparshme akademike me këtë institucion.

Gjatë kësaj vizite, në të dy universitetet u zhvilluan takime dhe vizita në laboratorët përkatës, ku studentët dhe stafi patën mundësinë të njihen nga afër me praktikat e mësimdhënies. Profesorët dhe studentët u takuan me kolegë dhe studentë të këtyre universiteteve, duke shkëmbyer ide dhe duke diskutuar mundësitë për bashkëpunim të ndërsjellë.

Kjo vizitë kishte për qëllim forcimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërmjet stafit akademik dhe studentëve të institucioneve përkatëse, si dhe krijimin e urave të qëndrueshme të komunikimit ndëruniversitar.