Studentët dhe stafi akademik i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), të prirë nga Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vizituan Ambasadën e Republikës së Kosovës në Shqipëri, me ç’rast u pritën në takim nga Ambasadori, z. Skënder Durmishi dhe stafi diplomatik i kësaj Ambasade.
Gjatë kësaj vizite, studentët dhe stafi i UShAF, u informuan nga Ambasadori Durmishi për rolin e Ambasadës në promovimin e shtetit të Kosovës, shërbimet që ofron Ambasada, marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për zhvillimet dhe bashkëpunimet ndërmjet dy shteteve në fushat e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.
Rektori Bajraktari falënderoi Ambasadorin për pritjen dhe mbështetjen ndaj UShAF dhe e informoi atë për punën dhe arritjet e universitetit, duke përfshirë përgatitjen e studentëve për tregun e punës, bashkëpunimet me universitete të rajonit dhe më gjerë, si dhe angazhimin për t’i bërë studentët konkurrues me ata të vendeve të zhvilluara.
Ndërsa, Ambasadori Durmishi falënderoi Rektorin Bajraktari, stafin dhe studentët për vizitën dhe mes tjerash ofroi mbështetjen e Ambasadës në sfidat që mund të përballen ata. Gjithashtu, ai uroi që kjo vizitë të mos jetë e fundit dhe premtoi se gjithmonë do të jetë në mbështetje të stafit dhe studentëve të UShAF.
Ambasadori u falënderua gjithashtu nga studentët pjesëmarrës, të cilët u shprehën se ndihen mirë që janë pjesë e UShAF dhe se patën mundësinë të marrin pjesë në këtë vizitë. Mes tjerash, ata theksuan edhe përkushtimin e tyre për të punuar fort për të arritur suksese në studime.