Studentët e viteve të fundit të studimeve bachelor dhe master të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), të shoqëruar nga stafi akademik, me në krye Rektorin, Prof. Dr. Agron Bajraktari, realizuan një vizitë studimore në disa universitete dhe qendra kulturore të Shqipërisë.

Gjatë kësaj vizite, UShAF pati mundësinë të marrë pjesë në aktivitete të shumta akademike dhe kulturore, duke përfshirë takime me stafin akademik të universiteteve pritëse, njohjen me programet studimore dhe infrastrukturën moderne të tyre, si dhe eksplorimin e trashëgimisë kulturore dhe turistike të disa prej qyteteve më të njohura shqiptare.

Kjo vizitë filloi në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, ku Rektori Bajraktari fillimisht u prit nga Rektori i i këtij Universiteti, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, me ç’rast Rektori Bajraktari iu falënderua homologut të tij për gatishmërinë e bashkëpunimit në të ardhmen. Rektori Gjuraj, bashkë me Rektorin e Universitetit tonë folën para studentëve dhe stafit rreth pikave që u dakorduan të bashkëpunojnë në të ardhmen, pika këto të cilat janë pjesë Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes UShAF dhe Universitetit të Shkodrës, të nënshkruar para të pranishmëve. Pas takimit UShAF pati mundësinë të vizitoi Galerinë e Arteve, ku ishte e hapur ekspozita “Salloni Vjetor”.

Vizita vazhdoi me Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku gjithashtu u nënshkrua një Marrëveshje Bashkëpunimi. Më tej, studentët dhe stafi akademik vizituan Universitetin Politeknik të Tiranës, Universitetin Bujqësor të Tiranës, Fakultetin e Shkencave Pyjore dhe Universitetin e Arteve.

Gjatë takimeve në këto universitete, studentët dhe stafi akademik i UShAF patën mundësinë të njihen nga afër me programet e studimit, metodologjinë e punës, infrastrukturën moderne, laboratorët dhe aktivitetet akademike të zhvilluara. Diskutimet u fokusuan në mundësitë e bashkëpunimit ndërinstitucional, përfshirë projekte të përbashkëta hulumtuese, mobilitete për stafin dhe studentët, organizimin e ngjarjeve akademike dhe shkencore, si dhe shkëmbimin e përvojave praktike dhe profesionale.

Përvoja kulturore dhe turistike ishte një tjetër pikë kyçe e kësaj vizite. UShAF vizitoi disa nga qytetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Në qytetin e Beratit, vizituan qytetin e vjeter, ku patën mundësinë të njihen me trashëgiminë kulturore dhe historinë e pasur të këtij qyteti, të ruajtur në rrugicat e saj të gurta dhe në arkitekturën veçantë. Pas Beratit historik, vizita vazhdoi në Vlorë, ku studentët paten sërish mundësinë të kujtojnë rolin historik të këtij qyteti.

Tirana, si destinacion i fundit i kësaj vizite, u dha mundësinë studentëve të priten nga Ambasadori i Kosovës, z. Skënder Durmishi, i cili para tyre foli rreth marrëdhënieve të mira midis dy vendeve.

Kjo vizitë studimore përfundoi me një përvojë të jashtëzakonshme për studentët dhe stafin e UShAF, ngase ofroi njohuri jo vetëm të aspektit akademik, por edhe të atij kulturor, falë mikëpritjes dhe mbështetjes që UShAF-it iu ofrua nga universitetet pritëse.