Studentët dhe stafi akademik i UShAF kontribuojnë në promovimin e ekonomisë qarkore në EXPO 2026

Studentët dhe stafi akademik i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), më 13 tetor 2026, morën pjesë në panairin “Ekonomia Qarkore në Ballkanin Perëndimor – EXPO 2026”, i cili u mbajt në Prishtinë, me mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Kosovë dhe nën organizimin e “Rilindjes së Gjelbër”.

Në kuadër të panairit, studentët e Fakultetit të Menaxhmentit dhe të Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit prezantuan produkte inovative, të realizuara në bashkëpunim me industrinë, duke u bazuar në parimet e ekonomisë qarkore dhe metodologjinë e vlerësimit të ciklit jetësor të produktit. Studentët Donjeta Osmani, Rinesa Çerkini, Lorik Ramadani, Natyra Ramusholli, Artin Shabani dhe Edonisa Murseli prezantuan zgjidhje që synojnë shfrytëzimin efikas të materialeve, zvogëlimin e mbetjeve dhe uljen e ndikimit në mjedis.

Në panair morën pjesë edhe studentët e vitit të dytë dhe të tretë të të dy fakulteteve, të cilët realizuan vizita praktike nën mbikëqyrjen e stafit akademik të UShAF-it: Bujar Jashari, Arben Tërstena, Ismail Mehmeti, Sokol Krasniqi, Gazmend Deda, Rrahim Sejdiu, Afrim Loku dhe Lulzim Idrizi.

Përmes këtyre vizitave, studentët patën mundësi të njihen nga afër me zbatimin e parimeve të ekonomisë qarkore në praktikë, duke ndërlidhur njohuritë e fituara gjatë studimeve me proceset reale ekonomike dhe industriale, si dhe me rëndësinë e inovacionit në zhvillimin e produkteve të qëndrueshme.

Në kuadër të panairit u organizua edhe konferenca profesionale me temën “Ekonomia Qarkore në Rajon – Perspektiva dhe Mundësitë”, ku si paneliste mori pjesë Prof. Asoc. Dr. Leonora Haliti-Rudhani, nga Fakulteti i Menaxhmentit në UShAF. Gjatë diskutimit, ajo trajtoi nga perspektiva akademike rolin e institucioneve të arsimit të lartë dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe industrisë në zhvillimin e produkteve të qëndrueshme.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, përgëzoi studentët dhe stafin akademik për angazhimin dhe rezultatet e arritura, duke vlerësuar punën e tyre në prezantimin e produkteve inovative dhe përfaqësimin e Universitetit në këtë aktivitet.

Produktet e prezantuara nga studentët, të zhvilluara në bashkëpunim me industrinë, si dhe pjesëmarrja e tyre në aktivitetet praktike të panairit, pasqyrojnë mënyrën se si njohuritë e fituara gjatë studimeve mund të shndërrohen në zgjidhje konkrete për shfrytëzimin më të mirë të burimeve, reduktimin e mbetjeve dhe zhvillimin e produkteve me ndikim më të ulët mjedisor.