Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, ka mbajtur takim me stafin akademik dhe administrativ të Universitetit, rreth përgatitjeve për fillimin e vitit akademik 2020/21
Në takim u diskutua rreth situatës pandemike, sfidat që u kaluan gjatë semestrit të kaluar dhe suksesin e arritur gjatë kësaj kohe. Po ashtu, u diskutua edhe për kthimin e stafit akademik nga data 1 shtator në Universitet, gjithmonë duke respektuar rregullat e IKSHP-së. Ndër tjera, u fol edhe për përgatitjet që janë duke u bërë nga stafi i UShAF për t’iu përgjigjur cilitdo variant që vendoset për fillimin e vitit të ri akademik.
Rektori Bajraktari i falënderoi të gjithë stafin për përkushtimin e madh që kishin gjatë kësaj kohe, duke bërë që studentët të përfitojnë njohuri edhe pa qenë prezent në Universitet. Po ashtu Rektori, tha se duke parë përgatitjet e stafit akademik, UShAF do të jetë i gatshëm me kohë që të fillojë vitin akademik, qoftë me prezencën e studentëve në Universitet, ligjërata online apo mësim të kombinuar.
Stafi akademik u shprehën të gatshëm që nga 1 shtatori të fillojnë punën në objektet e Universitetit dhe të mbajnë takime konsultative me studentë, në mënyrë që të mbështesin ata dhe t’u ofrojnë informacionet e munguara gjatë muajve të fundit.