Stafi akademik i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka realizuar një vizitë pune në Universitetin WSB në Dąbrowa Górnicza, Poloni, ku është pritur nga Prorektori, Prof. Dr. Rafael Rebilas, Dekania e Fakultetit të Menaxhmentit, Prof. Dr. Anna Ziomek, dhe Zëvendësdrejtori i Zyrës së Marrëdhënieve Ndërkombëtare, PhD Cand. Denis Spahija.
Në këtë vizitë morën pjesë Prof. As. Dr. Flamur Salihu, Prof. Asoc. Dr. Arben Terstena, Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti, Prof. Asoc. Dr. Sokol Krasniqi dhe Prof. Asoc. Dr. Gazmend Deda, të cilët zhvilluan takime me drejtuesit dhe stafin akademik të universitetit pritës, me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave akademike e programore ndërmjet dy institucioneve.
Vizita kishte në fokus forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe shkëmbimin e përvojave akademike e programore, me theks të veçantë në hulumtimin e ndikimit të Inteligjencës Artificiale në e-Biznese dhe Marketing Dixhital. Një nga pikat kryesore të takimeve ishte prezantimi i projektit të financuar nga UShAF 2025, me temë “Hulumtimi i ndikimit të Inteligjencës Artificiale në e-Biznese dhe Marketing Dixhital”, i cili synon krijimin e një kurrikule të re të krahasuar me universitetet evropiane dhe zhvillimin e qasjeve bashkëkohore në procesin mësimor dhe kërkimor.
Gjatë qëndrimit, u diskutua edhe për përfshirjen e studentëve në projekte të përbashkëta, si dhe për analizimin e programit funksional “Marketing Dixhital dhe Menaxhim Shitjesh” të Universitetit WSB, i cili u vlerësua si një model për t’u përshtatur pjesërisht në kurrikulën e re që po zhvillohet në kuadër të projektit të UShAF-it 2025.
Palët u dakorduan që bashkëpunimi të vazhdojë përmes seminareve, punëtorive të përbashkëta dhe mobilitetit të stafit e studentëve. Ky partneritet synon të forcojë kapacitetet kërkimore dhe praktike të UShAF-it, si dhe të kontribuojë në zhvillimin e mëtejshëm të e-Bizneseve dhe Marketingut Dixhital.
Në përfundim të vizitës, u vlerësua se takimet krijuan një bazë të qëndrueshme për projekte të ardhshme dhe për thellimin e lidhjeve akademike ndërmjet dy institucioneve.
Anëtarët e grupit punues, në emër të UShAF, shprehën mirënjohje për mikpritjen dhe gatishmërinë e përfaqësuesve të Universitetit WSB për të avancuar më tej bashkëpunimin ndërinstitucional.