Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës: Industria e drurit kërkon financim të garantuar për UShAF-in.

Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës shpreh shqetësimin lidhur me mospërfshirjen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) në planifikimin buxhetor 2027.

UShAF është institucioni i vetëm publik që përgatit kuadro të drejtpërdrejta për industrinë e drurit, mobilieve dhe dizajnit. Për vite me radhë, kompanitë tona kanë punësuar profesionistë të diplomuar këtu, dhe mbetemi të varur nga ky institucion për fuqi punëtore të kualifikuar.

Universiteti disponon punëtori dhe infrastrukturë të pajisur me teknologji të industrisë, rezultat i një investimi shumëvjeçar të konsiderueshëm, si dhe një staf akademik të përgatitur e me përvojë. Rrezikimi i financimit të tij do të thotë humbje e një kapitali të vlefshëm, të ndërtuar vite me radhë.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Arsimit dhe Ministrisë së Financave që të rishikojnë vendimin dhe të sigurojnë financimin e nevojshëm për UShAF-in, si dhe të përfshijnë industrinë dhe universitetin në çdo diskutim për të ardhmen e këtij institucioni.

Stabiliteti i UShAF-it është stabilitet për industrinë tonë dhe për të rinjtë që duan të ndërtojnë karrierë në Kosovë.

SHOQATA E PËRPUNUESVE TË DRURIT TË KOSOVËS