Në kuadër të Ditës Botërore të Sindromës Down, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u mbajt aktiviteti “Një Kartolinë për Ty”, që nënkupton një kartolinë të punuar me dashuri nga personat me sindromën Down, e cila të dedikohet TY.

Gjatë këtij aktiviteti, studentët dhe personeli i UShAF, me blerjen e kartolinave, kontribuan në mbështetjen e shërbimeve terapeutike dhe psiko-sociale që ofron Shoqata Down Syndrome Kosova brenda pesë qendrave.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, mirëpriti personat me Sindrom Down dhe u premtoi se Universiteti do t’i mbështesë gjithmonë në çdo lloj aktiviteti që kontribuon në mirëqenien e tyre.

Mobilizimi i komunitetit për promovim të shkathtësive profesionale përmes kartolinave është bërë traditë në Shoqatën Down Syndrome Kosova. Këtë vit, më të motivuar, individët me SD bashkë me prindërit kanë punuar kartolina që secili nga ju të pranoj një kartolinë e cila ndikon në qëndrushmërinë e shërbimeve të domosdoshme për komunitetin e sindromës Down.