Nën patronatin e Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz dhe me ftesë të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Leopoldina, Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, njëherit kryesues i Konferencës së Rektorëve të universiteteve publike të Kosovës, është ftuar të marrë pjesë në aktivitetin për festimin e 10 vjetorit të Procesit të Berlinit.
Ky aktivitet i përvitshëm, i cili do të mbahet me 30 shtator deri me 1 tetor 2024 në Bibliotekën Shtetërore në Berlin, mbledh së bashku akterët kryesorë nga fusha e shkencës, arsimit, hulumtimit dhe inovacionit në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.
Me këtë rast, Rektori Bajraktari, i njohur për përkushtimin e tij ndaj bashkëpunimit ndërkombëtar dhe zhvillimit të shkencës, shprehu entuziazëm për këtë mundësi për të kontribuar në të ardhmen e bashkëpunimit shkencor në rajon.
Këtë vit, Konferenca ka një rëndësi të veçantë pasi shënon 10-vjetorin e Procesit të Berlinit, me Gjermaninë që udhëheq presidencën rotative nën udhëheqjen e Kancelarit Olaf Scholz. Për të festuar këtë përvjetor, do të zhvillohen një sërë takimesh strategjike, me fokus në planifikimin e së ardhmes së Procesit në sektorë të ndryshëm.
Nën temën “Guxim drejt së ardhmes!”, konferenca e vitit 2024 do të theksojë dy çështje:
- Zhvillimin e një pozicioni të përbashkët të organizatave shkencore nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore në lidhje me Programin e ri në kuadër të Bashkimit Evropian për hulumtim dhe Inovacion (FP10, pasardhësin e Horizon Europe), që aktualisht është në fazë planifikimi në Bruksel.
- Përforcimin e misionit special të organizatave shkencore në mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë dhe projektit evropian në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, veçanërisht përballë fenomeneve etnonacionaliste, anti-evropiane dhe atyre që nxisin dezinformim.
Konferenca pritet të nxjerrë një grup rekomandimesh kryesore, të cilat do t’i paraqiten Samitit të 10-të të Ballkanit Perëndimor, të Krerëve të Shtetit dhe Qeverisë, që do të mbahet në Berlin më 14 tetor 2024.
Pjesëmarrja e Rektorit në këtë Konferencë do të forcojë lidhjet e UShAF me komunitetin shkencor ndërkombëtar dhe do të forcojë rolin e institucionit në promovimin e avancimeve në arsim dhe hulumtim në Ballkanin Perëndimor.