Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, priti në takim ekipin e programit SHER-Sustainable Higher Education and Research. Qëllimi i këtij takimi ishte prezantimi i aktiviteteve në kuadër të këtij programi, para stafit menaxherial të UShAF.

Gjatë takimit, u bisedua rreth mundësive konkrete që programi SHER ka planifikuar të implementojë dhe të cilat janë në përputhje me prioritetet e UShAF. Poashtu, temë diskutimi ishte edhe reformimi i arsimit të lartë, e sidomos financimi i universiteteve bazuar në performancë, rishikimi i dokumenteve strategjike, harmonizimi i rregulloreve me trendet e reja, dhe implementimi i akteteve për barazi gjinore, si dhe fusha të tjera të ngjashme.

Rektori Bajraktari shprehu gatishmëri për bashkëpunim të UShAF me programin SHER, e njëkohësisht falënderoi shtetin Austriak për përkrahjen që ka dhënë deri tani. Ai, poashtu theksoi se fokusi i SHER në forcimin e qeverisjes institucionale, rishikimin e dokumenteve kryesore strategjike dhe nxitjen e kërkimit dhe inovacionit përputhet me qëllimin e UShAF për t’u bërë lider në shkencat e aplikuara.

Rektori Bajraktari vuri në dukje se ky partneritet do të kontribuonte ndjeshëm në synimet e UShAF për të ofruar programe moderne të arsimit të lartë, për të rritur kapacitetin kërkimor dhe për të promovuar një mjedis mësimor gjithëpërfshirës dhe me cilësi të lartë që përgatit studentët për sfidat e botës reale në shkencat e aplikuara.