Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari priti në takim Rektorin, Dr. Sven Tode nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Flensburg, Gjermani dhe Udhëheqësin për kulturë, komunikim dhe media, z. Christian Böttcher nga Ambasada Gjermane në Kosovë.

Gjatë këtij takimi Rektorët biseduan për mundësitë e shumta të bashkëpunimit në mes të të dyja Universiteteve, si dhe diskutuan rreth identifikimiit të hapave që duhet të ndërmerren me qëllim të realizimit të këtij bashkëpunimi.

Rektori Bajraktari falënderoi Rektorin Tode për vizitën dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar në profilet e ngjashme të cilat ofrohen në të dyja Universitetet. Gjithashtu, Rektori Bajraktari duke ia prezantuar hapësirat e punës brenda Universitetit, si dhe punën e realizuar nga studentët, ndër tjerash përmendi edhe faktin që UShAF është Universiteti i vetëm i shkencave të aplikuara në Kosovë. Rektori, poashtu përmendi faktin se UShAF, i vetmi në Kosovë nga universitetet publike, ofron gjuhën gjermane si lëndë obligative në çdo program të studimeve.

Gjithashtu, Rektori Bajraktari tregoi mirënjohje për Ambasadën Gjermane, e cila sipas tij që nga takimi i parë i realizuar këtë vit, janë angazhuar shumë në përkrahjen e universitetit që udhëheqë ai.

Ndërsa, Rektori Tode u nda jashtëzakonisht mirë me punën që është realizuar në UShAF dhe premtoi se do të angazhohet që në kuadër të bashkëpunimit të përfshihen aktivitete, të cilat do t’u ndihmojnë studentëve në të ardhmen.