Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe Fisnik Bislimi, djali i heroit kombëtar Rexhep Bislimit, pritën në në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Ferizaj, z. Afrim Mehmeti-kryetar i OVL-së dhe z. Luan Jahiri-nënkryetar.

Gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e OVL së UÇK-së u njoftuan me vendimet e universitetit për emërtimin e sallave me emra që mishërojnë vlerat më të larta të luftës çlirimtare, si “Komandanti Legjendar” dhe “Çlirimtarët”, duke reflektuar përkushtimin institucional për ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike.

Në takim, u dorëzuan edhe listat e nënshkrimeve të peticionit kombëtar “Liri për Çlirimtarët”, të cilat janë nënshkruar nga Rektori, stafi akademik dhe studentët e Universitetit. Ky peticion, me rëndësi të veçantë kombëtare, synon mbështetjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ish-krerëve të saj që po përballen me procesin në Hagë, duke mbrojtur vlerat e luftës çlirimtare dhe dinjitetin e saj.

Rektori Bajraktari theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave historike dhe rolin e institucioneve të arsimit të lartë në kultivimin e përgjegjësisë qytetare dhe respektit për historinë. Ai tha se angazhimi i Universitetit në nisma të tilla pasqyron përkushtimin për të kontribuar në çështje me rëndësi kombëtare. Njëkohësisht, ai ritheksoi se si gjithmonë është në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe përgëzoi iniciativën e OVL së UÇK-së për organizimin e peticionit “Liri për Çlirimtarët”, duke e vlerësuar atë si një veprim me rëndësi të veçantë kombëtare.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e OVL së UÇK-së shprehën mirënjohje për pritjen dhe vlerësuan lart kontributin e Rektorit Bajraktari, stafit akademik dhe studentëve të UShAF në këtë proces, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe qytetare për kauza të tilla.

Takimi u vlerësua si një dëshmi e bashkëpunimit dhe unitetit institucional në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare dhe të historisë sonë.