Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, shpreh respektin dhe mirënjohjen e thellë për paraqitjen e z. James Rubin në Gjykatën e Hagës, në procesin gjyqësor kundër përfaqësuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Rektori Bajraktari tha se, në cilësinë e një diplomati dhe njohësi të rrethanave të kohës, fjala e z. Rubin është një dëshmi e fuqishme e së vërtetës historike, se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë, çlirimtare dhe legjitime, e ndërtuar mbi aspiratën shekullore të popullit të Kosovës për liri dhe dinjitet. Ai e vlerësoi këtë akt si një kontribut të çmuar jo vetëm për procesin gjyqësor, por edhe për të ardhmen e kujtesës kolektive dhe historike të Kosovës. Ky moment na kujton se e vërteta dhe drejtësia, pavarësisht sfidave, do të mbeten të pathyeshme.
Në emër të UShAF, Rektori Bajraktari shprehu mirënjohje të veçantë për z. Rubin dhe për mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë dhe po japin për Kosovën dhe popullin e saj. Kjo mbështetje mbetet një shtyllë thelbësore për lirinë, paqen dhe demokracinë në vendin tonë.
Në këtë rast, kujtojmë me nderim të përjetshëm të gjithë dëshmorët dhe luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sakrifica e të cilëve është themeli i lirisë që gëzojmë sot.