Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, njëherazi kryesues i Konferencës së Rektorëve të universiteteve publike të Kosovës, me ftesë të Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Gjermanisë Leopoldina, dhe nën patronatin e Kancelarit të Gjermanisë Olaf Scholz, mori pjesë në aktivitetin për festimin e 10-vjetorit të Procesit të Berlinit.

Kjo Konferencë e cila u mbajt nga data 30 shtator deri më 1 tetor 2024 në Bibliotekën Shtetërore të Berlinit, mblodhi akterët kryesorë nga fusha e shkencës, arsimit, hulumtimit dhe inovacionit në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor.

 

Rektori Bajraktari, shprehu entuziazëm për këtë mundësi për të kontribuar në të ardhmen e bashkëpunimit shkencor në rajon.

Meqenëse, Konferenca shënoi 10-vjetorin e Procesit të Berlinit pati rëndësi të vecantë për Ballkanin Perëndimor, pasiqë u zhvilluan një sërë takimesh strategjike, me fokus në planifikimin e së ardhmes së Procesit në sektorë të ndryshëm.

Kjo Konferencë, nën temën “Guxim drejt së ardhmes!”, theksoi dy çështje:

  1. Zhvillimin e një pozicioni të përbashkët të organizatave shkencore nga Ballkani Perëndimor dhe Evropa Juglindore në lidhje me Programin e ri në kuadër të Bashkimit Evropian për hulumtim dhe inovacion (FP10, pasardhësin e Horizon Europe), që ishte në fazën e planifikimit në Bruksel.
  2. Përforcimin e misionit special të organizatave shkencore në mbrojtjen dhe promovimin e demokracisë dhe projektit evropian në Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore, veçanërisht përballë fenomeneve etnonacionaliste, anti-evropiane dhe atyre që nxisin dezinformim.

Rekomandimet që u nxorën nga kjo Konferencë, do t’i paraqiten Samitit të 10-të të Ballkanit Perëndimor, të Krerëve të Shtetit dhe Qeverisë, që do të mbahet në Berlin më 14 tetor 2024.

Në cilësinë e Rektorit të UShAF, si dhe në atë të kryesuesit të Konferencës së Rektorëve, Rektori Bajraktari forcoi lidhjet e UShAF, por edhe të arsimit të lartë në përgjithësi me komunitetin shkencor ndërkombëtar.