Rektori Bajraktari merr pjesë në Konferencën e 10-të Shkencore të Procesit të Berlinit në Podgoricë
Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, po merr pjesë në Konferencën e 10-të të Përbashkët Shkencore të Procesit të Berlinit, me temën “Ballkani Perëndimor në Evropë: Njerëzit–Inovacioni–Transformimi”, e cila po mbahet nga 12 deri më 14 tetor 2026, në Podgoricë të Malit të Zi.
Konferenca, e cila organizohet në kuadër të Procesit të Berlinit, mbledh përfaqësues të akademive të shkencave, universiteteve, institucioneve kërkimore-shkencore, si dhe ekspertë të shkencës dhe politikave publike nga rajoni dhe më gjerë, me qëllim diskutimin e rolit të arsimit të lartë, shkencës dhe inovacionit në zhvillimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe integrimin e tyre në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës po trajtohen tema të rëndësishme që lidhen me transformimin e arsimit të lartë në përputhje me ndryshimet demografike dhe kërkesat e tregut të punës, zhvillimin ekonomik përmes inovacionit, konkurrencës dhe teknologjive të reja, si dhe modernizimin e institucioneve shtetërore përmes shfrytëzimit të ekspertizës shkencore dhe hartimit të politikave të bazuara në dëshmi.
Pjesëmarrja e Rektorit Bajraktari në këtë konferencë është një mundësi e rëndësishme për shkëmbimin e përvojave, forcimin e bashkëpunimit me institucionet akademike dhe shkencore ndërkombëtare, si dhe avancimin e rolit të UShAF në zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe inovacionit.
Në kuadër të konferencës pritet të hartohet një deklaratë e përbashkët, e cila do të miratohet në Samitin e Liderëve të Procesit të Berlinit, më 22 tetor 2026, në Podgoricë. Kjo deklaratë synon të forcojë përkushtimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor për avancimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e shkencës, arsimit dhe inovacionit, si dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.
Konferenca e 10-të e Përbashkët Shkencore e Procesit të Berlinit paraqet një platformë të rëndësishme të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, duke theksuar rolin e universiteteve dhe institucioneve shkencore në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përballimin e sfidave të së ardhmes.
