Rektori Bajraktari merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar të Erasmus+ në Podgoricë
Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, po merr pjesë në aktivitetin ndërkombëtar të rrjetëzimit dhe bashkëpunimit në kuadër të programit Erasmus+, me temën “Western Balkans in the Focus: Promoting and Deepening Cooperations in the Erasmus+ Programme”, i cili po mbahet nga 13 deri më 15 tetor 2026, në Podgoricë të Malit të Zi.
Aktiviteti organizohet në kuadër të “Training and Cooperation Activities (TCA)”, me qëllim promovimin dhe thellimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë të Ballkanit Perëndimor dhe partnerëve evropianë, përmes shkëmbimit të përvojave, krijimit të partneriteteve të reja dhe identifikimit të mundësive për bashkëpunim në kuadër të programit Erasmus+.
Gjatë aktivitetit, pjesëmarrësit kanë mundësi të diskutojnë për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, rritjen e mobilitetit të studentëve dhe stafit akademik, si dhe për mënyrat e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet universiteteve të rajonit dhe atyre evropiane.
Pjesëmarrja e Rektorit Bajraktari në këtë aktivitet është me interes të veçantë për UShAF, duke marrë parasysh orientimin e Universitetit drejt arsimit të aplikuar dhe bashkëpunimit ndërkombëtar. Takimet me përfaqësues të universiteteve dhe organizatave pjesëmarrëse krijojnë mundësi për identifikimin e partnerëve të rinj dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta që lidhen me programet e studimit dhe fushat akademike të UShAF-it.
Në këtë drejtim, vëmendje e veçantë i kushtohet mundësive që ofron programi Erasmus+ për përfshirjen e studentëve dhe stafit akademik në mobilitete ndërkombëtare, shkëmbimin e përvojave në mësimdhënie dhe zhvillimin e projekteve që ndërthurin njohuritë akademike me përvojën praktike. Këto mundësi janë në përputhje me profilin e UShAF-it si universitet i shkencave të aplikuara dhe me synimin për të zgjeruar bashkëpunimin me institucione që kanë orientim të ngjashëm akademik dhe profesional
