Rektori Bajraktari dhe prorektorët Salihu e Cukaj përfaqësojnë UShAF-in në Samitin E³UDRES² 2026 në Letoni
Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, së bashku me prorektorët Flamur Salihu dhe Kushtrim Cukaj, po marrin pjesë në Samitin Vjeshtor E³UDRES² 2026, me temën “Learning for Challenging Times” (Të nxënit në kohë sfiduese), i cili po mbahet në Letoni.
UShAF është anëtar i Aleancës Evropiane E³UDRES², e cila synon të nxisë inovacionin, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e qasjeve të reja në arsimin e lartë, në përputhje me nevojat e shoqërisë dhe sfidat e së ardhmes.
Samiti Vjeshtor E³UDRES² 2026 mbledh përfaqësues të institucioneve të arsimit të lartë, hulumtues, edukatorë dhe partnerë të tjerë, për të prezantuar iniciativa, praktika inovative dhe rezultate kërkimore, me fokus në të nxënit në bashkëpunim me botën e punës dhe adresimin e sfidave reale të shoqërisë.
Në qendër të diskutimeve janë mënyrat se si universitetet, në bashkëpunim me studentët, stafin akademik, hulumtuesit dhe partnerët nga industria, mund të zhvillojnë qasje të reja në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, duke forcuar lidhjen ndërmjet arsimit të lartë dhe tregut të punës.
Gjatë samitit, përfaqësuesit e UShAF-it zhvilluan takime me përfaqësues të institucioneve partnere, përfshirë Agnese Davidsone, rektore e Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Vidzeme-s, dhe Hannes Raffaseder, president i Aleancës Evropiane E³UDRES². Në këto takime u krijua mundësia për të diskutuar mbi bashkëpunimin ndërinstitucional dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Programi i Samitit Vjeshtor E³UDRES² 2026 përfshin dy pjesë kryesore: konferencën, e cila u mbajt më 19 dhe 20 tetor 2026 në Riga, dhe Asamblenë e Përgjithshme, e cila po mbahet më 21 dhe 22 tetor 2026 në Valmiera të Letonisë.
Përfaqësimi i UShAF në këtë samit, përmes pjesëmarrjes së rektorit Bajraktari dhe prorektorëve Salihu e Cukaj, krijon mundësi për të ndjekur nga afër zhvillimet dhe iniciativat e Aleancës E³UDRES², si dhe për të diskutuar me institucionet partnere përfshirjen e UShAF-it në aktivitete dhe projekte të përbashkëta, veçanërisht në fushat që lidhen me arsimin e aplikuar, inovacionin dhe bashkëpunimin me industrinë.


