Në kuadër të programit Erasmus+ dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg (FH Salzburg), një delegacion nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), i udhëhequr nga Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari, realizoi një vizitë zyrtare pesëditore në Austri, nga data 28 prill deri më 2 maj 2025.
Delegacioni, i përbërë nga profesorë të fakulteteve të ndryshme të UShAF, me në krye Rektorin Bajraktari, u prit në një takim zyrtar nga Zëvendës-rektori i FH Salzburg, Günther Grall, si Alexander Petutschnigg, ku u diskutua për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit midis dy institucioneve. Gjatë vizitës, delegacioni mori pjesë në një sërë aktivitetesh akademike dhe kulturore, përfshirë takime me përfaqësues të departamenteve përkatëse dhe Zyrës Ndërkombëtare të FH Salzburg, me qëllim forcimin e partneritetit strategjik në fushën e arsimit të lartë të aplikuar.
Në kuadër të kësaj vizite, u mbajtën ligjërata të ndërsjella nga profesorët e të dy institucioneve, ku u trajtuan tema të ndryshme rreth fushave përkatëse, të cilat u udhëhoqën nga profesorë të UShAF dhe FH Salzburg.
Gjithashtu, delegacioni zhvilloi takim me studentët e UShAF që aktualisht ndjekin semestrin e tyre në FH Salzburg, me të cilët u diskutua mbi përvojat e tyre akademike, sociale dhe ndikimin e drejtpërdrejtë të mobilitetit në zhvillimin e tyre profesional. Në kuadër të vizitës, u organizua edhe një aktivitet rrjetëzimi me përfaqësues të industrisë turistike, me qëllim krijimin e lidhjeve të reja mes arsimit dhe tregut të punës.
Një pjesë e rëndësishme e agjendës ishte vizita në Shkollën e Turizmit në Klessheim, ku delegacioni u njoh nga afër me modelin austriak të edukimit profesional në fushën e turizmit, duke shkëmbyer ide mbi mundësitë për përshtatje dhe bashkëpunim të këtij modeli edhe në kontekstin kosovar.
Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm drejt thellimit të marrëdhënieve mes UShAF dhe FH Salzburg, duke hapur rrugë të reja për projekte akademike, mobilitete të zgjeruara dhe një bashkëpunim të qëndrueshëm në arsim dhe hulumtim shkencor.