REAGIM I OVL UÇK DEGA FERIZAJ

OVL UÇK dega në Ferizaj, shpreh shqetësimin e thellë ndaj çdo përpjekjeje që cenon të ardhmen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.

Në vitet e okupimit, regjimi serb mbyllte shkollat dhe universitetet për t’ia mohuar popullit tonë të drejtën për dije. Për këtë u sakrifikuan breza të tërë, derisa lufta çlirimtare e UÇK-së na solli lirinë. Prandaj, është e papranueshme që në Kosovën e lirë të vihet në pikëpyetje funksionimi i një universiteti publik që ka dëshmuar rezultate, profesionalizëm dhe përkushtim.

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka treguar vazhdimisht respekt të veçantë për vlerat e luftës çlirimtare, për Dëshmorët, veteranët dhe historinë e shtetit tonë. Një institucion që edukon brezat e rinj dhe nderon sakrificën për liri meriton mbështetje, jo pengesa.

Nuk është rastësi që USHAF vlerësohet si një nga universitetet më të suksesshme në hapësirën mbarëshqiptare. Arritjet, njohjet ndërkombëtare dhe vlerësimet nga personalitete të botës akademike dëshmojnë se ky universitet është një aset i dijes dhe i zhvillimit të Kosovës. Institucione të tilla duhet të mbrohen dhe të mbështeten, jo t’u vihen pengesa në rrugën e zhvillimit.

OVL UÇK dega Ferizaj, i jep përkrahje të plotë Rektorit, stafit akademik, studentëve dhe gjithë komunitetit universitar në mbrojtje të këtij institucioni. Universitetet ndërtojnë shtetin, forcojnë lirinë dhe garantojnë të ardhmen.

Shkollat dhe universitetet nuk mbyllen.

Ato mbrohen.

Për dijen, për rininë dhe për Kosovën.

https://www.facebook.com/100066651546799/posts/1376893427875696/?mibextid=wwXIfr&rdid=TOola74jDnCvP3bz#