Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në bashkëpunim me Aleancën e Universiteteve të Shkencave të Aplikuara në Evropë E³UDRES², zhvilloi punëtori të përbashkët, ku UShAF u përfaqësua nga Rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari, menaxhmenti i lartë dhe studentë.

Delegacioni i EUDRES u udhëhoq nga Michal Karpisek, Sekretar i Përgjithshëm i EUDRES, Klaas Vansteenhuse, Drejtor për Mësimdhënie në EUDRES, Julia Sophie Rothmann, Udhëheqëse e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Fulda, Gjermani, Kim Venema, Menaxhere e Programeve Ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion dhe koordinatore e E³UDRES² në Holandë, Leopold Kögler Vencour, Udhëheqës i Sektorit për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Universitetin e Shkencave të Aplikuara St. Pölten në Austri, André Roos, Drejtor i Qendrës për Ndërmarrësi në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion në Holandë dhe Jan Willem Meijerhof, Menaxher për Bashkëpunim Strategjik në Universitetin e Shkencave të Aplikuara Saxion në Holandë. Pjesë e punëtorisë ishte edhe Mimika Dobroshi, Udhëheqëse e Zyrës së ERASMUS+ në Kosovë.

Fillimisht, aktivitetet u zhvilluan në Agjencinë e Kosovës për Akreditim në Prishtinë, ku ishin të pranishëm Naim Gashi, Drejtor i Përgjithshëm i AKA, Arianit Krasniqi, Drejtor i Departamentit për Akreditim dhe Vlerësim në AKA, si dhe Luccia Parducci, Atashe në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Më pas, punëtoria vazhdoi në UShAF, ku iu bashkuan edhe përfaqësuesit e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Erard Çurçija, Udhëheqës i Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Ilir Hoxha, Udhëheqës i Sektorit për Teknologji Informative.

Gjatë punëtorisë u diskutua për rolin dhe zhvillimin e Universiteteve të Shkencave të Aplikuara në sistemin e arsimit të lartë, sigurimin e cilësisë, ndërkombëtarizimin, integrimin në Aleancat Evropiane të Universiteteve, zhvillimin e mësimdhënies dhe ndërlidhjen e saj me hulumtimin, integrimin e inteligjencës artificiale dhe bashkëpunimin rajonal.

Partnerët e EUDRES prezantuan praktikat më të mira dhe mundësitë për mbështetjen e universiteteve partnere, ndërsa UShAF dhe Universiteti i Shkodrës prezantuan sfidat, nevojat dhe prioritetet për zhvillimin e mëtejmë të bashkëpunimit. Po ashtu, u theksua rëndësia e universiteteve të shkencave të aplikuara në zhvillimin e ndërmarrësisë, inovacionit, bashkëpunimit me biznesin dhe punësimin e të rinjve, ndërsa UShAF u vlerësua si një shembull pozitiv në këtë drejtim.

Punëtoria u përmbyll me përmbledhjen e konkluzioneve, përcaktimin e hapave të ardhshëm dhe dakordimin për aktivitete konkrete dhe mekanizma mbështetës që do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejmë institucional dhe ndërkombëtar të universiteteve partnere.