Inxhinierja e Makinerisë dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës e kohëve të vështira 1989-1992, profesoresha Binaze Jashari ka shënuar sot ditën e pensionimit.

Duke qenë ndër vajzat e para të diplomuara në Inxhinieri Mekanike në Ferizaj, e po ashtu edhe e guximshme, e fortë, gjithnjë pozitive, për vite të tëra ajo kontriboi në aspektin patriotik e atdhetar dhe në arsimimin e shumë gjeneratave.

Profesoresha Jashari ka ligjëruar edhe në kohërat kur mësimi mbahej nëpër shtëpi-shkolla. Pastaj, ka vazhduar në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj dhe më vonë në Fakultetin e Shkencave të Aplikuara.

Që nga viti 2015 e deri në pensionim, ajo kontriboi në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, ku përveç mësimdhënies, ajo solli gjithnjë frymë pozitive në institucion, duke u bërë kështu figurë frymëzuese për studentët dhe stafin e Universitetit.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari falënderon profesoreshën Binaze për kontributin e jashtëzakonshëm në Universitet dhe njëherit i uron shëndet e jetë të rehatshme. Ai shprehet i bindur se profesoresha Binaze edhe pas pensionimit me tërë vullnetin që ka, nuk do të ndalet së kontribuari për arsimin në dobi të gjeneratave të reja.