Në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), më 22 dhe 23 prill 2025, u mbajt trajnimi dy-ditor “Project Cycle Management for CBC Ambassadors”, organizuar në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III, midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Ky trajnim u realizua si rezultat i Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, z. Elbert Krasniqi, dhe Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari.
Qëllimi i trajnimit ishte përgatitja dhe fuqizimi i studentëve të përzgjedhur si Ambasadorë të Bashkëpunimit Ndërkufitar (CBC Ambassadors), për të kontribuar aktivisht në identifikimin e mundësive të reja të bashkëpunimit lokal dhe ndërkufitar, hartimin e ideve për projekte të përbashkëta, si dhe promovimin e partneritetit dhe zhvillimit ndërkomunal në rajon.
Përmes këtij programi, Ambasadorët e CBC-së, studentë të përzgjedhur nga UShAF, do të angazhohen në informimin dhe mobilizimin e qytetarëve dhe organizatave lokale, duke promovuar vlerat e bashkëpunimit dhe zhvillimit të përbashkët ndërkufitar.
Që nga data 1 Maj 2025, pesë studentë Ambasadorë të CBC-së nga UShAF do të angazhohen për një periudhë njëmujore në komuna të ndryshme.
Ky aktivitet shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e rolit të studentëve në proceset e zhvillimit lokal dhe ndërkufitar, duke theksuar rolin e universiteteve si akterë kyç në ndërtimin e partneriteteve të qëndrueshme.