Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka hapur dyert sot për të pritur në një ceremoni solemne studentët në vitin e ri akademik 2019/20, e në veçanti ata të cilët për herë të parë fillojnë studimet në Universitet.
Me këtë rast, rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari iu dëshiroi mirëseardhje në Universitet studentëve, e sidomos atyre që për herë të parë fituan statusin e studentit.
“Sot Universiteti ynë duket si asnjëherë më parë. Ju jemi shumë mirënjohës, juve studentë të dashur, po edhe familjeve tuaja që keni zgjedhur institucionin tonë dhe na keni besuar t’u ndihmojmë në ngritjen tuaj profesionale. Prandaj, u them me shumë kompetencë se nuk do të zgjënjeheni me vendimin tuaj gjë që do ta vërtetoni gjatë studimeve. Që bashkërisht të jemi të suksesshëm dhe të arrijmë rezultate shumë të mira, ju them se dyert tona do të jenë të hapura çdoherë për ju”, tha Rektori.
Po ashtu, Rektori i njoftoi studentët për hapësirat moderne të cilat i ofron Universiteti me qëllim të arritjes së objektivave të përbashkëta ku do të realizohet edhe praktika profesionale, e cila do t’u ndihmoj atyre që të aftësohen për tregun e punës. Ndërsa, theksoi se Universiteti deri më tani ka me qindra Marrëveshje Bashkëpunimi me biznese dhe institucione vendore e ndërkombëtare, bashkëpunim ky i cili ka ndihmuar shumë në realizimin e programeve studimore të cilat lidhen me kërkesat e tregut të punës. Kjo dëshmohet edhe nga suksesi i studentëve të cilët deri më tani kanë bërë punë të jashtëzakonshme përmes njohurive të marra nga Universiteti.
Ndërsa, Kryetarja e Parlamentit Studentor të UShAF, Xhyljeta Xhymshiti në emër të studentëve veç tjerash falënderoi rektorin Bajraktari për të gjitha mundësitë që po ua ofron studentëve duke mos u lodhur asnjëherë në gjetjen e formave për të studiuar në kushte të mira në Universitet por edhe jashtë vendit përmes mobilitetit, gjë që sipas saj i bënë të lumtur që studijojnë në këtë Universitet.