Në ditë të vështira, kur në Kosovë po vriteshin gra, fëmijë, e pleq, shumë të tjerë po deportoheshin dhe shtëpitë po digjeshin, Madeleine Albright u bë zëri më i fuqishëm i Kosovës dhe doli në krah të luftës çlirimtare.
Kjo grua e fuqishme, i dha shumë mësime botës. Me veprën e saj, ajo dëshmoi vendosmëri për të mbrojtur paqen dhe të drejtën e popujve për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
Sekretarja e parë grua e ShBA-ve ishte një nga figurat më të rëndësishme, të cilat bënë që NATO të ndërhyjë për të ndaluar krimet serbe ndaj popullatës së Kosovës.
Për më tepër, ajo nuk i ndau sytë nga Kosova deri në fund. U bë krah i fortë edhe në formimin e shtetit dhe ndërtimin e vendit tonë, duke na dhënë mbështetje, shpresë, forcë e guxim.
Prandaj, vdekja e saj na dhembi kaq shumë. Prandaj, ne sot mbajmë zi për këtë njeri madhështor, që për fatin tonë historik, ishte edhe Mikja jonë më e madhe.
Pushoftë në paqe dhe në historinë e botës, e në veçanti në pjesën më të dhimbshme dhe njëkohësisht më të bukur të historisë së Kosovës!
U lartësoftë mesh nesh brez pas brezi emri i Madeleine Albright!
Prof. Dr. Agron Bajraktari, Rektor
This post is also available in: English