Studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), vazhdimisht po tregojnë suksese në tregun e punës.
Sot, Lorita Rama, studente e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, mbaroi studimet bachelor pranë këtij Fakulteti, duke prezantuar para komisionit vlerësues projektin “Dizajnimi i vilës në stilin modern”, projekt ky i dizajnuar në një stil shumë modern dhe i realizuar nga pronari i shtëpisë Agron Kurtaj.
Këtë projekt, Lorita e realizoi nën mbikëqyrjen e profesor Florit Hoxha dhe kompanisë “Vintage Architecture”, pjesë e së cilës, Lorita është që nga viti 2018.
Tema kishte për qëllim të definojë modernizmin në arkitekturë dhe interier, si periudhë historike dhe ndikimin e saj në ditët e sotme. Gjithashtu, qëllim tjetër ishte të shpalosë një projekt të arkitekturës dhe interierit me elemente moderne në 2D dhe 3D dhe ta lidhë atë me teorinë.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, njëherit edhe anëtar i komisionit vlerësues, përgëzoi studentën për punën e bërë dhe tha se student të tillë e bëjnë të ndjehet jashtëzakonisht mirë dhe të krenohet me universitetin që përfaqëson ai.
This post is also available in: English