Në ambientet e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u mbajt ligjëratë me temën “Newest surveying technologies applied in architecture and related studies”, nga profesori Krzysztof Konieczny, MSc. Eng, përfaqësues i Akademisë së Teknologjisë dhe Arteve në Varshavë, Poloni – Fakulteti i Arkitekturës.
Ligjërata u fokusua në aplikimin praktik të teknologjive moderne si LiDAR dhe LOOQ në fushën e arkitekturës. Profesori Konieczny prezantoi mënyrat e avancuara të matjes së formave gjeometrike në 3D, përmes pajisjeve mekanike dhe teknologjive ajrore si dronët dhe avionët, duke ofruar shembuj konkretë të përdorimit të këtyre teknologjive në projektimin dhe dokumentimin arkitektonik.
Në këtë aktivitet morën pjesë studentë dhe staf akademik nga Fakulteti i Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, të cilët patën rastin të njihen nga afër me trendet më të fundit në këtë fushë dhe potencialin që ofrojnë për zhvillim të mëtejshëm profesional dhe akademik.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vlerësoi këtë aktivitet duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare dhe shkëmbimit të përvojave me ekspertë ndërkombëtarë, si një mundësi e shkëlqyer për avancimin e cilësisë së mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në institucionin tonë.