Studentët e vitit të dytë të Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, në programin e Arkitekturës së Interierit dhe Dizajnit të Mobilieve, me përkrahjen e Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, janë përfshirë në projektin “BashkëPunojmë”, projekt ky i financuar nga Kosova United States Alumni – KUSA përmes grantit të Ambasadës Amerikane në Kosovë.

Projekti përfshin punën konkrete, duke filluar nga fazat e para të matjeve në terren, planit të rilevimit, dizajnit të detajuar, analizës së elementeve dhe ndjekjes së të gjitha fazave të prodhimit të mobilieve për një ambient që synon të krijojë një “Co-working space” të parë në Ferizaj.

Ky projekt ka gëzuar mbështetje financiare nga KUSA, nën drejtimin e studentes së nivelit master në UShAF, Lorita Rama, njëkohësisht menaxhere e këtij projekti, si dhe mbështetjen e profesorit të lëndës “Projektim Arkitektonik”, Prof. As. Dr. Ramadan Topuzi.

Me këtë rast, Rektori Bajraktari theksoi se ndihet gjithmonë i emocionuar në ngjarje si kjo ku protagonistët kryesorë janë studentët, ndërsa i uroi ata për suksesin e arritur deri më tani dhe iu dëshiroi arritje të reja.

Rektori tha se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, pasi që kontribuon në përgatitjen e studentëve tanë dhe ndikon në rritjen e përgjegjësisë ndaj profesionit të tyre, si dhe rritë mundësitë që ata të jenë më kreativ dhe në trend më zhvillimet e reja në fushat që mbulojnë.

Për këtë mundësi, rektori Bajraktari falënderoi studenten Rama për përkushtimin e saj dhe mundësinë që krijoi për studentë të tjerë që të përfitojnë nga projekti, ndërsa theksoi mbështetjen e rëndësishme të Ambasadës Amerikane në Kosovë, respektivisht Kosova United States Alumni – KUSA.

Kjo mbështetje dhe ky projekt, tha Rektori Bajraktari, ndër të tjera, do të motivojë edhe studentë të tjerë që të angazhohen për gjetjen e sa më shumë mundësive për përgatitjen e tyre për të ardhmen.

Gjithashtu, Rektori tha se, e gjithë kjo i përgjigjet vizionit të Universitetit, e që është të qenit model kombëtar i një universiteti modern, inovativ dhe i edukimit integrues, ku praktika plotëson teorinë dhe zhvillohen aftësi profesionale e hulumtuese për të mirën e shoqërisë.

Në kuadër të këtij projekti, studentët kanë mbajtur një workshop me Arkitektin Albrim Tahiri, i cili i ka asistuar ata në të gjitha fazat e projektit, duke filluar nga matjet në terren deri te përcaktimi i produkteve dhe ngjyrave të cilat do të përdoren për të krijuar një hapësirë të përshtatshme, moderne dhe funksionale.

Së fundmi, studentët kanë monitoruar procesin e prodhimit të mobilieve në Mobilerinë “Gjethi”, për të garantuar që produktet e tyre të dizajnuara janë të realizuara në cilësinë më të lartë të mundshme