Bazuar në Marrëveshjen e Bashkëpunimit (Memorandum of Understanding) ndërmjet Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe SmartCity Corporation, si dhe në kuadër të zbatimit të programit Master ndërkombëtar “Be Smart in the City”, shpallet konkurs për përzgjedhjen e studentëve të studimeve Master për pjesëmarrje në këtë program.
Numri i studentëve
Në kuadër të këtij konkursi do të përzgjidhen deri në 13 (trembëdhjetë) student duke lejuar pjesëmarrjen e deri në 2 (dy) të diplomuarve të kohëve të fundit brenda numrit, përkatësisht të diplomuar në vitet 2024 dhe 2025.
E drejta e aplikimit
Të drejtë aplikimi kanë studentët e studimeve Master dhe të diplomuarit nga këto njësi akademike:
- Fakulteti i Inxhinierisë dhe Informatikës (6 studentë dhe 1 i diplomuar), dhe
- Fakulteti i Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit (5 studentë 1 i diplomuar).
Në rast se nuk plotësohet numri i paraparë i kandidatëve nga kategoria e të diplomuarve, vendet e lira do të plotësohen nga lista e studentëve të studimeve Master. Po ashtu, nëse në ndonjërën njësi akademike nuk arrihet numri i paraparë i aplikantëve, atëherë vendet e mbetura të lira mund të plotësohen me kandidatë nga njësia tjetër akademike, në të cilën ka numër më të madh aplikimesh, duke respektuar kriteret e përzgjedhjes.
Afati dhe mënyra e aplikimit
Aplikimi bëhet në administratën e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, në periudhën:
22.12.2025 – 26.12.2025 nga ora 09:00-16:00
Aplikimet e dorëzuara jashtë këtij afati nuk do të merren parasysh.
Dokumentet e nevojshme për aplikim
Kandidatët janë të obliguar të dorëzojnë dokumentet në vijim:
- Vërtetimin e statusit të studentit
- Certifikatën e diplomës (për të diplomuarit);
- Certifikatën e notave.
Kriteret e përzgjedhjes
- Nota mesatare e studimeve Master
- Njohja e gjuhës angleze është obligative, pasi programi zhvillohet kryesisht në gjuhën angleze;
Detaje mbi programin Master “Be Smart in the City”
Programi Master “Be Smart in the City” është një program ndërkombëtar i dizajnuar dhe i realizuar nga SmartCity Corporation, me fokus në konceptet bashkëkohore të Smart Cities. Programi karakterizohet nga:
- Kohëzgjatje totale prej rreth 200 orësh;
- Strukturë e përbërë nga 18 module të specializuara;
- 85% e mësimit zhvillohet online, ndërsa 15% realizohet fizikisht;
- Ligjërata interaktive, punëtori praktike, ushtrime dhe raste studimore;
- Fokus në inovacion, transformim digjital, planifikim urban, energji të qëndrueshme, trashëgimi kulturore dhe teknologji të avancuara (GIS, BIM, AR/VR, Blockchain, etj.).
Mësimi në kuadër të programit Master “Be Smart in the City” do të zhvillohet në format online, përmes platformës digjitale të SmartCity Corporation.
Ligjëratat do të mbahen sipas këtij orari:
- E premte: nga ora 15:00 – 18:00
- E shtunë: nga ora 09:00 – 12:00
Pjesëmarrja e rregullt në ligjërata dhe aktivitete online është obligative, në përputhje me rregullat e programit.
Kandidatët duhet të kenë interes profesional dhe akademik për fushat e zhvillimit urban, teknologjive të mençura, inovacionit dhe qëndrueshmërisë.
Linku për konkursin: Konkurs per studentet Master ne programin “Be Smart in the City”