Në kuadër të zhvillimit të mësimit praktik, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj është mbajtur ligjërata me titull “Dizajni i interierit përmes programeve CAD dhe realizimi praktik i tyre”.
Pjesë e këtij aktiviteti këtë herë ishin përfaqësuesit e kompanisë së njohur të prodhimit mobilieve “ANB Baliu”, që ushtron aktivitetin e saj në Ferizaj.
Gjatë kësaj ligjërate e cila u realizua në kuadër të lëndës Aplikimi i CAD në Projektimin e Mobilieve, studentët u njohën nga afër me mundësitë që ofron përdorimi profesional i programeve CAD dhe mundësitë konkrete të aplikimit të dizajnit në praktikë.
Në këtë ligjëratë, përveç menaxherit të Kompanisë, z. Bujar Baliu, ishte e pranishme edhe ish studentja e fakultetit të Arkitetkurës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit që ka diplomuar në nivelin Bachelor, Liridona Bytyçi, e cila aktualisht ka pozicionin e arkitektes kryesore pranë kësaj Kompanie. Liridona është një model suksesi për atë çfarë përfaqëson dhe çfarë ka arritur falë pasionit dhe punës këmbëngulëse.