Këshilli Drejtues i UShAF pezullon nga pozita kryesuesin Ramadan Beqiri dhe zëvendëskryesuesin Ilmi Reçica
Këshilli Drejtues i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në mbledhjen e mbajtur më 20 tetor 2026, me fillim në orën 14:30, ka marrë vendim për pezullimin nga ushtrimi i detyrave dhe përgjegjësive zyrtare të kryesuesit Ramadan Beqiri dhe zëvendëskryesuesit Ilmi Reçica, në përputhje me bazën ligjore në fuqi.
Vendimi për pezullim është marrë në kuadër të përgjegjësive institucionale të Këshillit Drejtues dhe në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, lidhur me shqetësimet për tejkalimin e kompetencave, moskryerjen e detyrave dhe përgjegjësive në përputhje me funksionet përkatëse, si dhe pengimin e funksionimit të rregullt të Këshillit Drejtues.
Këshilli Drejtues vlerëson se respektimi i kompetencave, përgjegjësive dhe procedurave ligjore është thelbësor për garantimin e funksionimit të rregullt të organeve drejtuese dhe mbarëvajtjen e punës së Universitetit.
Këshilli Drejtues i UShAF rithekson përkushtimin për ushtrimin e përgjegjësive institucionale në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke synuar garantimin e funksionimit të rregullt, efikas dhe transparent të Universitetit.
