Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) shënoi një tjetër moment krenarie në skenën e dizajnit. Studentja e Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Julinda Idrizi, u vlerësua me Çmimin e Publikut në “Garën Studentore të Dizajnit 2025”, pjesë përbërëse e Konventës së Industrisë së Drurit në Kosovë.

Në këtë garë prestigjioze, UShAF u përfaqësua denjësisht nga shtatë studentë të talentuar, të cilët prezantuan projekte kreative e profesionale, duke dëshmuar nivel të lartë të inovacionit, përgatitjes teorike dhe aplikimit praktik. Konkursi mblodhi ekspertë vendorë e ndërkombëtarë të fushës së drurit, dizajnit dhe arkitekturës, si dhe përfaqësues nga universitete publike dhe private, duke e bërë konkurrencën tejet sfiduese.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vlerësoi punën e studentëve, përkushtimin e stafit akademik dhe bashkëpunimin e ngushtë me industrinë, duke theksuar se ky sukses reflekton orientimin e Universitetit drejt arsimit praktik dhe inovacionit. Ai përgëzoi gjithashtu Shoqatën e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) dhe partnerët për një ngjarje që fuqizon lidhjen Industri–Akademi dhe rrit konkurrueshmërinë në nivel vendor dhe ndërkombëtar.