Historiku

e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Historia e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) është themeluar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), më 6 korrik 2015 dhe është ratifikuar në Parlamentin e Republikës së Kosovës më 16 korrik 2015.

Tradita e punës akademike dhe shkencore në Ferizaj daton nga viti 1976, kur Kuvendi i Kosovës themeloi Qendrën e Shkollimit të Lartë. Në Qendër funskiononte Seksioni i Makinerisë dhe Industrisë së Drurit, si dhe Seksioni i Punëtorëve.

Në vitin akademik 1988, Qendra e Shkollimit të Lartë suprimohet dhe themelohet Shkolla e Lartë Teknike, me Seksionin e Makinerisë dhe të Industrisë së Drurit, ndërsa Seksioni i Punëtorëve u suprimua tërësisht.

Në vitin akademik 2002/03 u miratuan plan-programet e reja mësimore sipas sistemit të Bolonjës për studime themelore (Bachelor), për Departamentin e Makinerisë me profilin: Teknika e Përpunimit të Materialeve Artificiale dhe Departamentin e Industrisë së Drurit me profilin: Përpunimi i Drurit.

Me vendimin e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës, më 05.09.2005, SHLT transformohet në Fakultet të Shkencave Teknike të Aplikuara (FSHTA), me Departamente dhe profile të njejta, ndërsa më vonë në Fakultet të Shkencave të Aplikuara (FSHA), duke i mundësuar Fakultetit të zhvillojë programe përtej atyre teknike.

This post is also available in: English