Fakulteti i Turizmit dhe Ambientit nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Fakulteti i Biznesit nga Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi që parasheh mobilitete si të profesorëve ashtu edhe të studentëve të fakulteteve respektive, hartimin e kurrikulave të përbashkëta, organizimin e programeve verore, konferenca, tryeza, etj.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes, të pranishëm ishin edhe studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, të cilët u pritën dhe u përshëndetën nga Dekani i Fakultetit të Biznesit, Prof. Dr. Shkelqim Fortuzi, zv. Dekane Dr. Silvana Gashi, Dr. Gentian Ruspi dhe Dr. Brulinda Licaj.

 

Prof. Asoc. Dr. Petrit Hasanaj, Dekan i Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit në UShAF, i shoqëruar nga Prof. As. Dr. Hysen Sogojeva, u shpreh shumë i lumtur me nënshkrimin e kësaj Marrëveshje dhe u zotua se me gjithë kapacitetet e tij në fakultet do të mobilizohet për implementimin e kësaj Marrëveshje, ku studentët dhe mësimdhënësit sipas tij, tash e tutje do të jenë në kontakte edhe më të ngushta me Fakultetin e Biznesit, dega e Turizmit.

 

Ndërsa, Dekani Fortuzi, mes tjerash theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm që kanë me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe me këtë rast ai tha se nënshkruan këtë Marrëveshje me qëllim të thellimit të bashkëpunimit në mes të këtyre dy Fakulteteve.

 

Para studentëve në ambientet e këtij Universiteti u ligjërua nga profesoresha Dr. Brulinda Licaj, tema me titull: “Peeping Tourist“ (Turistë të përgjuar).

 

Më pastaj nën përkujdesjen e Dr. Arlind Kasa në cilësinë e ciceronit, studentët vizituan disa nga atraksionet turistike në qytetin e Durrësit duke përfshirë: Amfiteatrin e Durrësit, Kullën Veneciane etj.

 

Studenët u shprehën të vlerësuar dhe mirënjohës duke potencuar se këto vizita janë mënyra më e mirë e krijimit të lidhjeve dhe eksperiencave akademike dhe profesionale.