Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u zhvillua një takim mes përfaqësuesve të Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit dhe partnerëve të tij nga sektori i biznesit.
Takimi synoi forcimin e bashkëpunimit për të përshtatur më mirë aftësitë praktike të studentëve me kërkesat e tregut të punës dhe për t’i integruar këto aftësi në kurikulat e Fakultetit.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, shprehu mirënjohjen për angazhimin e përfaqësuesve të bizneseve në rishikimin dhe përmirësimin e planprogrameve, si dhe për kontributin e tyre të vazhdueshëm në përgatitjen profesionale të studentëve.
Ndërsa, Dekanja e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Blerina Bytyçi, gjithashtu vlerësoi kontributin e bizneseve për rritjen e cilësisë në Fakultet, duke theksuar se takime të tilla do të duhej të zhvillohen rregullisht për të përfituar të dyja palët.
Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, falënderoi udhëheqësinë e UShAF për bashkëpunimin dhe siguroi mbështetjen e vazhdueshme të Odës. Ai premtoi që do të angazhohet maksimalisht për të ofruar sa më shumë mundësi praktike për studentët e Fakultetit.
Përfaqësuesit e bizneseve e konsideruan këtë bashkëpunim si tepër produktiv për përgatitjen e të rinjve për tregun kosovar të punës. Sipas tyre, gjithmonë ka hapësirë për përmirësim, dhe bashkëpunimi i tyre për zhvillimin e Fakultetit do të jetë i vazhdueshëm, duke qenë se përfitimet e këtij partneriteti do të ndihen nga të dyja palët.