Fakulteti i Menaxhmentit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), mori pjesë në Forumin Shkencor me temën: “Tregu i punës në transformim – aftësitë që kërkon ekonomia moderne”, i cili u mbajt më 22 maj 2025 në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD), i organizuar nga Fakulteti i Biznesit të këtij Universiteti.
Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti, ishte pjesë aktive e panelit kryesor, ku kontribuoi me një diskutim mbi nevojën urgjente për përshtatjen e kurrikulave universitare me kërkesat e tregut të punës, veçanërisht në kontekstin e transformimeve teknologjike. Ai theksoi rëndësinë e harmonizimit të përmbajtjes mësimore me zhvillimet bashkëkohore, përfshirë ndikimin e Inteligjencës Artificiale, me qëllim zvogëlimin e hendekut të aftësive ndërmjet arsimit dhe kërkesave të punësimit.
Pjesëmarrës nga Fakulteti i Menaxhmentit ishin edhe stafi akademik: Prof. Asoc. Dr. Sokol Krasniqi, Prof. Asoc. Dr. Arben Tërstena dhe Prof. As. Dr. Gazmend Deda.
Në panel morën pjesë edhe përfaqësues të bizneseve, ish-studentë dhe akademikë, të cilët ndanë perspektivat e tyre mbi ndikimin e teknologjisë në zhvillimin e aftësive të reja dhe kërkesat e ekonomisë moderne.
Forumi u karakterizua nga një angazhim i lartë i audiencës, me diskutime të thelluara dhe pyetje që nxorën në pah sfidat dhe mundësitë që sjell transformimi digjital në tregun e punës dhe sistemin arsimor.
Fakulteti i Menaxhmentit shprehë mirënjohje për mikpritjen nga ana e Fakultetit të Biznesit dhe vlerëson lartë bashkëpunimin e shkëlqyeshëm ndërinstitucional që po ndërtohet me këtë institucion.