Drilon Deda, student i UShAF, po qëndron për një semestër në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Vidzemes në Letoni
Studenti i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Drilon Deda, i vitit të dytë të studimeve master në programin Menaxhimi i Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, po qëndron për një semestër në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Vidzemes në Letoni, në kuadër të shkëmbimit akademik ndërmjet dy institucioneve.
Ky shkëmbim i ofron studentit mundësinë për të avancuar njohuritë akademike dhe profesionale, për të shkëmbyer përvoja me studentë dhe profesorë ndërkombëtarë, si dhe për t’u njohur me praktikat bashkëkohore në fushën e menaxhimit, ndërmarrësisë dhe inovacionit.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Vjeshtor E³UDRES² 2026, që po mbahet në Letoni, u takua me studentin Drilon Deda, i cili ndau me të përvojat e tij nga universiteti pritës, ecurinë e studimeve dhe aktivitetet akademike gjatë qëndrimit në Letoni. Rektori Bajraktari e përgëzoi studentin për angazhimin dhe përfaqësimin e UShAF-it, duke i uruar suksese në studime dhe përvoja të vlefshme akademike e profesionale gjatë semestrit të tij në Letoni.
Deda shprehu kënaqësinë për mundësinë e studimit në një mjedis ndërkombëtar, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj përvoje për zhvillimin e tij akademik dhe profesional.
Përvoja e Drilon Dedës është një shembull konkret i mundësive që bashkëpunimi me universitetet partnere evropiane krijon për studentët e UShAF-it, duke u mundësuar atyre të njihen me qasje të ndryshme të mësimdhënies, të krijojnë kontakte ndërkombëtare dhe të fitojnë përvoja që pasurojnë formimin e tyre akademik dhe profesional.
