Në hapësirat e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u mbajt trajnimi në fushën e video-animacionit me artisten dhe profesoreshën nga Hungaria, Ana Szöllősi. Ky trajnim u ofrua të gjithë të rinjve të interesuar nga Kosova dhe Presheva.

Trajnimin e vizitoi nga afër edhe Rektori i Universitetit, Dr. Agron Bajraktari, i cili përshëndeti organizatorët nën udhëheqjen e profesoreshes Lebibe Topalli dhe inkurajoi ata, duke theksuar se UShAF është i hapur për të mbështetur iniciativa të tilla, edhe përmes infrastrukturës dhe më tej.
Falë trajnimit intensiv me artisten e njohur profesioniste, Ana, të rinjtë nga qytete të ndryshme të Kosovës, si nga: Ferizaj, Prishtina, Kaçaniku, Mitrovica, Gjakova dhe Presheva, arritën jo vetëm të avancojnë profesionalisht në fushën e animacionit, por edhe të marrin pjesë në një konkurs gare.

Nga një numër i konsiderueshëm punimesh që shquheshin për vlerat e tyre artistike dhe krijuese, veçanarisht u dallua puna e Elba Gashit duke fituar vendin e parë në këtë garë. Elba Gashi, ëhtë studente e vitit të parë në Dizajn Grafik dhe Multimedia në USHAF, demonstroi një perspektivë të veçantë dhe një qasje inovative në video-animacion, ndaj temës së dhënë.

Ky sukses është një dëshmi e talentit të ri dhe potencialit në rritje në Kosovë, dhe njëkohësisht, një ftesë për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të shprehin kreativitetin e tyre nëpërmjet artit vizual.

Projekti u organizua nga Mural Fest Kosova&Livrit, ndërsa u përkrah nga RYCO dhe MKRS, Prishtinë