Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u zhvillua sot ceremonia e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit (MoU) ndërmjet UShAF dhe SmartCity Corporation, ngjarje që u nderua me pjesëmarrjen e Ambasadorit të Italisë në Kosovë, H.E. Maurizio Antonini.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të projektit OPIK – Productive and Inclusive Employment in Kosovo, të bashkëfinancuar nga Agjencia Italiane për Bashkëpunim Zhvillimor (AICS) dhe CELIM, që synon zhvillimin e aftësive profesionale dhe promovimin e punësimit për të rinjtë dhe gratë në Kosovë.
Në emër të Rektorit të Universitetit, Prof. Dr. Agron Bajraktari, fjalën përshëndetëse e mbajti zëvendës rektorja, Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, e cila pasi i uroi mirëseardhje te pranishmeve , theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi ndërkombëtar dhe vlerësoi këtë projekt si një mundësi e shkëlqyer për studentët e UShAF-it.
Takimi pasoi me fjalimin përshëndeste te ambasadorit Antonini, si dhe prezantimin e projektit nga Znj. Giulia Agrosì, CEO e SmartCity Corporation; dhe Z. Alessandro Salimei, Përfaqësues i CELIM.
Ky Memorandum i Mirëkuptimit ka për qëllim zbatimin e programit “Be Smart in the City”, i cili synon zhvillimin e kompetencave të studentëve në fushën e smart city, teknologjive moderne, inovacionit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Programi, i dizajnuar dhe i ofruar nga SmartCity Corporation, do të realizohet 85% online dhe 15% me pjesëmarrje fizike, duke u mundësuar studentëve të UShAF-it të përfitojnë njohuri bashkëkohore përmes ligjëratave ndërkombëtare, trajnimeve praktike dhe projekteve reale dhe të marrin certifikim italian.
Ky bashkëpunim përfaqëson një hap të rëndësishëm për Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj në drejtim të forcimit të partneriteteve ndërkombëtare dhe përfshirjes së studentëve në programe që ndërthurin dijen akademike me nevojat e tregut të punës dhe zhvillimet teknologjike moderne.
Pas fjalimeve të mirëseardhjes dhe theksimit të rëndësisë së këtij bashkëpunimi, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes, e ndjekur nga një koktej miqësor në ambientet e universitetit.
Në ketë takim UShAF u përfaqësua nga strukturat udhëheqëse të universiteti dhe student.