Sot, me datë 29 maj, Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari, priti përfaqësues të Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Gjatë takimit që patën me Rektorin kryesisht u bisedua rreth të arriturave të Universitetit tonë, po edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në të ardhmen. Poashtu gjatë takimit u theksua edhe fakti që Universiteti ynë, i vetmi në Kosovë ofron gjuhën gjermane, si lëndë obligative, në të gjitha programet e studimeve të nivelit Bachelor.

Qëllim i vizitës së sotme ishte edhe prezantimi, para stafit të Universitetit dhe studentëve, i veprës së financuar nga qeveria gjermane me titull “Gjermania dhe Kosova – Historia e një partneriteti”.

Në fjalën hyrëse, Rektori, Prof. Dr. Bajraktari, falënderoi mysafirët për interesimin e qeverisë gjermane si dhe për qëllimin e vizitës së tyre. Përkrahja e Gjermanisë nuk ka munguar as në ditët më të vështira të vendit tonë, theksoi ai më tej. Aso kohe kur Kosova luftonte për liri, në mes popujve tjerë, edhe populli gjerman i doli në ndihmë. Përkrahja e tyre, gjatë atyre viteve të vështira për ne, ndihmoi që ne sot të jetojmë e të veprojmë të lirë. Falë miqëve tanë që na ndihmuan në çlirimin e Kosovës tonë, e po na ndihmojnë edhe në shtetndërtim, ne sot jemi këtu dhe mund të flasim rreth këtij bashkëpunimi historik që daton me shekuj, shtoi më tej Rektori.

Në prezantimin e tyre z. Seewald e z. Unkauf folën rreth bashkëpunimt që Gjermania e Kosova kanë qe shumë vite, duke theksuar se përkrahja e gjermanëve, me përfaqësimin e tyre përmes KFOR-it dhe organizatave tjera, nuk ka munguar as në ditët më të vështira të Kosovës.

 

This post is also available in: English