Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari takoi Sekretarin e parë të Ambasadës Gjermane në Kosovë, dhe njëkohësisht udhëheqësin e seksionit për Kulturë dhe Politikë, z. Christian Böttcher dhe z. Adrian Ramabaja, përfaqësuesin e DAAD-së.

Gjatë këtij takimi Rektori Bajraktari dhe z. Böttcher u dakorduan që të bashkëpunojnë për t’iu ofruar mundësinë studentëve që të çertifikohen nga DAAD në Gjuhën Gjermane.

Rektori Bajraktari fillimisht falënderoi z. Böttcher për vizitën dhe informoi atë rreth themelimit, sfidave dhe sukseseve të Universitetit. Ndër tjerash Rektori theksoi rëndësinë e Gjuhës Gjermane, e cila ofrohet në programet e UShAF si lëndë obligative në tre semestra. Gjithashtu, ai kërkoi mbështetje nga Amasada Gjermane për ta përkrahur UShAF për krijimin e bashkëpunimit me institucione të arsimit të lartë në Gjermani.

Ndërsa, z. Böttcher, falënderoi Rektorin për pritjen dhe gatishmërinë për të bashkëpunuar, si dhe u shpreh shumë i kënaqur që një institucion i arsimit të lartë në Kosovë ofron Gjuhën Gjermane si lëndë obligative në çdo program të studimeve. Po ashtu, ai premtoi se do të jap maksimumin në bashkëpunimin e ndërsjellë të të dyja institucioneve. Gjithashtu, ai premtoi se do të angazhohet që studentët e UShAF të mund të përfitojnë nga bursat që ofrohen në kuadër të DAAD-së.

Gjatë kësaj vizite, përfaqësuesit e Ambasadës prezantuan para studentëve mundësitë që ofrohen në kuadër të DAAD-së për të studiuar në Gjermani.

Në fund, përfaqësuesit e Ambasadës vizituan hapësirat e Universitetit, ku patën mundësinë të shohin punimet e realizuara nga studentët.