Të nderuar studentë, të nderuar anëtarë të stafit akademik dhe administrativ, të nderuar qytetarë,
Ju njoftojmë se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka Ushtruesen e Detyrës së Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, të zgjedhur me vendim të Këshillit Drejtues të Universitetit, më 5 nëntor 2026.
Zgjedhja e saj është bërë në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit, të cilat përcaktojnë qartë se kompetenca për zgjedhjen e Ushtruesit të Detyrës së Rektorit i takon Këshillit Drejtues, me shumicën e kërkuar të votave.
Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu është një profesioniste e dëshmuar, me përvojë të gjatë në menaxhimin dhe udhëheqjen e Universitetit. Ajo ka mbajtur pozitën e zëvendësrektorit dhe Prorektores për inovacion, teknologji dhe digjitalizim, duke dëshmuar angazhim të lartë, përkushtim të vazhdueshëm dhe kontribut të rëndësishëm në zhvillimin, avancimin dhe sukseset e Universitetit.
Prof. Zejnullahu është një figurë unifikuese, e respektuar dhe e pranuar nga studentët, stafi akademik dhe administrativ. Ajo gëzon besim brenda komunitetit universitar dhe përfaqëson frymën e unitetit, bashkëpunimit, stabilitetit dhe vazhdimësisë institucionale.
Caktimi i Prof. Afrim Lokut nga Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, si person i autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit, është jashtë kompetencave të Ministrit, ndërsa nocioni “person i autorizuar për ushtrimin e përkohshëm të detyrës së rektorit” nuk parashihet në asnjë dispozitë të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe as në Statutin e Universitetit.
Zgjedhja e Rektorit dhe e Ushtruesit të Detyrës së Rektorit është kompetencë e ekskluzive e Këshillit Drejtues. Asnjë ministër nuk mund t’i përvetësojë këto kompetenca dhe t’i imponojë Universitetit një drejtues përmes vendimeve të njëanshme, jashtë procedurave ligjore.
Krijimi i strukturave paralele të udhëheqjes, me vendim të njëanshëm të ministrit, përbën ndërhyrje të papranueshme në kompetencat e organeve drejtuese dhe cenon rëndë ligjshmërinë dhe autonominë e universitetit.
UShAF mbetet i palëkundur në mbrojtjen pa kompromis të autonomisë të UShAF-it, ligjshmërisë, kompetencave të organeve drejtuese, dinjitetit institucional dhe interesave të studentëve dhe stafit.
Për më tepër, statuti i universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj obligon të gjithë personelin akademik të UShAF që të respektojë:
- autonominë e UShAF;
- aktet universitare dhe vendimet e bazuara në to;
- reputacionin e UShAF dhe ta përmirësoj atë.
Kompetencat mbikëqyrëse të Ministrisë dhe kufijtë e ndërhyrjes në qeverisjen e Universitetit.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka kompetenca të caktuara mbikëqyrëse ndaj universiteteve publike, por këto kompetenca nuk janë të pakufizuara. Neni 23, paragrafi 4. i Ligjit për Arsimin e Lartë përcakton rastet, kushtet dhe procedurat kur Ministria mund të ndërhyjë në qeverisjen dhe menaxhimin e Universitetit.
Kur mund të ndërhyjë Ministria?
Kur, sipas raportit përfundimtar dhe rekomandimeve të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, konstatohet se:
- Universiteti ka bërë keqpërdorime financiare;
- Universiteti ka bërë keqadministrim;
- Universiteti nuk e ka zbatuar Statutin.
Cila është procedura që duhet të ndiqet?
Ministria bazohet në raportin përfundimtar dhe rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm.
- Ministria mund të anulojë fonde, për të cilat ajo mendon se janë keqpërdorur
- Pas konsultimit me Agjencinë e Kosovës për Akreditim (AKA) dhe Universitetin, jep udhëzime në lidhje me qeverisjen dhe menaxhimin e bartësit që Ministria i sheh të arsyeshme, duke përfshirë largimin ose zëvendësimin e përkohshëm të një ose më shumë anëtarëve të Këshillit drejtues ose rektorit.
- Të gjitha këto veprime duhet të ratifikohen nga Kuvendi i Kosovës brenda 60 ditësh.
Asnjë vendim i Ministrit nuk mund ta zëvendësojë ratifikimin e Kuvendit me vendimin e vet.
Sqarim: Raporti përfundimtar i Auditorit të Përgjithshëm nuk ka asnjë gjetje që konstaton shkelje në menaxhimin financiar, në menaxhimin administrativ apo në zbatimin e dispozitave të Statutit të Universitetit, në përputhje me Ligjin për Arsimin e Lartë dhe Statutin e Universitetit.
Duke pasur për bazë situatën e krijuar, u bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të ruajnë qetësinë, dinjitetin, profesionalizmin dhe respektin e ndërsjellë. Nuk duhet të lejojmë që kjo situatë të na ndajë, të krijojë pasiguri mes nesh apo të dëmtojë punën dhe arritjet që i kemi ndërtuar së bashku.
Interesi ynë i përbashkët është studenti. Pavarësisht situatës së krijuar, duhet të kujdesemi që mësimi të vazhdojë rregullisht, provimet të mbahen me kohë dhe të gjitha aktivitetet akademike dhe shkencore të zhvillohen pa pengesa. Studentët nuk duhet të preken nga kjo situatë. Kjo është përgjegjësia jonë e përbashkët. Prandaj ne duhet të vazhdojmëpunën me përgjegjësi dhe përkushtim ndaj studentëve tanë.
Më poshtë gjeni dispozitat përkatëse të Ligjit për Arsimin e Lartë dhe të Statutit të Universitetit, të cilat përcaktojnë dhe qartësojnë kompetencat e institucioneve dhe organeve përkatëse.
Neni 167 i Statutit të UShAF-it thot: Personeli akademik i UShAF është i obliguar të respektojë:
- paragafi 1.2. autonominë e UShAF;
- paragrafi 1.4. aktet universitare dhe vendimet e bazuara në to;
- paragrafi 1.7. reputacionin e UShAF dhe ta përmirësoj atë.
Si zgjidhet rektori:
Ligji për Arsimin e Lartë (neni 13, paragrafi 2.1) përcakton se universitetet kanë të drejtë të zgjedhin autoritetet e tyre drejtuese dhe menaxhuese, dhe zgjedhja është e percaktuar në statut të universitetit
Neni 31, paragrafi 6, i Statutit të UShAF-it përcakton se, në rast të shkarkimit të Rektorit, apo në çfarëdo rasti të mbetjes vakante të pozitës së Rektorit, Këshilli Drejtues zgjedh ushtruesin e detyrës së Rektorit deri në përfundimin e procedurës së zgjedhjes së Rektorit për mandatin e mbetur. Ushtruesi i detyrës së Rektorit do të mbajë postin e Rektorit deri në marrjen e një vendimi tjetër. Ushtrues i detyrës së Rektorit zgjedhet personi që i plotëson kushtet e parapara për zgjedhjen e Rektorit, neni 27.
Neni 25, paragrafi 3, i Statutit të UShAF-it. Rektori zgjedhet me shumicën absolute të votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues me të drejtë vote.
Sipas nenit 19 të Statutit, paragrafi 3: Vendimet në Këshillin Drejtues merren me shumicën e votave (shumicën e te gjithë anëtarëve). Këshilli Drejtues i UShAF-it ka shtatë anëtarë me të drejtë vote, që do të thotë se për marrjen e vendimit nevojiten së paku katër vota.
Ligji i Arsimitt ë Lartë, numër 04/L-037, Neni 23, paragrafi 4: Nëse, sipas vlerësimit të Ministrisë që bazohet në raportet përfundimtare dhe rekomandimet nga zyra e Auditorit të përgjithshëm, çështjet financiare apo çështjet e tjera të një bartësi kanë qenë ose janë duke u keqadministruar apo dispozitat e statutit nuk janë zbatuar në pajtim me këtë ligj dhe me statutin, Ministria mund që përveç kompetencave të akorduara nga paragrafi 6. i nenit 22 të këtij ligji, pas konsultimit me AKA-në dhe me bartësin, të jep udhëzime në lidhje me qeverisjen dhe menaxhimin e bartësit që Ministria i sheh të arsyeshme, duke përfshirë, largimin dhe zëvendësimin e përkohshëm të një ose më shumë anëtarëve të Këshillit drejtues ose rektorit. Të gjitha veprimet e tilla ratifikohen nga Kuvendi brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh.