U.D. e Rektorit, Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, takon stafin dhe thekson bashkëpunimin e përgjegjësinë për zhvillimin e UShAF

Ushtruesja e Detyrës së Rektorit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Asoc. Dr. Fakije Zejnullahu, zhvilloi një takim me stafin akademik dhe administrativ, ku shprehu mirënjohjen për punën dhe kontributin e tyre në zhvillimin e Universitetit.

Në fjalën e saj, U.D. e Rektorit Zejnullahu, e cilësoi marrjen e kësaj detyre si një nder dhe përgjegjësi të madhe institucionale, të cilën do ta ushtrojë me përkushtim dhe transparencë. Ajo theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe përfshirjes së të gjithë stafit në përmbushjen e objektivave të Universitetit, duke shprehur gatishmërinë për të dëgjuar dhe mbështetur propozime e ide të reja.

“Universiteti është vlerë e përbashkët dhe zhvillimi i tij kërkon angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e secilit prej nesh”, u shpreh U.D. e Rektorit Zejnullahu. Në këtë frymë, ajo veçoi këto synime: avancimin e cilësisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, përmirësimin e kushteve për studentët dhe stafin, si dhe forcimin e reputacionit të UShAF.

Gjatë takimit u diskutua për vazhdimësinë e proceseve akademike dhe institucionale, adresimin e sfidave ekzistuese dhe mundësitë e reja për zhvillim. Vëmendje iu kushtua edhe krijimit të një mjedisi profesional dhe motivues, ku vlerësohen puna, merita, përgjegjësia dhe iniciativa e secilit.

U.D. e Rektorit Zejnullahu falënderoi stafin për mirëpritjen dhe mbështetjen, duke theksuar se dyert e saj do të jenë të hapura për të gjithe studentët dhe stafin e Universitetit, me synimin që së bashku të ndërtojnë një institucion edhe më të fuqishëm, më cilësor dhe më konkurrues, në shërbim të studentëve, komunitetit akademik dhe shoqërisë.

U.D. e Rektorit Zejnullahu e përmbylli takimin me fjalët: “Bashkëpunimi, përkushtimi dhe përgjegjësia e përbashkët janë rruga drejt një Universiteti më të zhvilluar dhe më të suksesshëm”.