PËRFUNDOI ME SUKSES SHKOLLA DIMËRORE (WINTER SCHOOL) 2026 NË UShAF!
Arkitektura, tradita dhe inovacioni u bashkuan në një përvojë të veçantë akademike dhe ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF).
Përgjatë ditëve të Shkollës Dimërore 2026, studentë dhe profesorë nga tri institucione të arsimit të lartë: UShAF 🇽🇰, Salzburg University of Applied Sciences (SUAS-FHS) 🇦🇹 dhe Technical University of Munich (TUM) 🇩🇪, shkëmbyen njohuri, ide dhe përvoja përmes ligjëratave, analizave, krahasimeve, diskutimeve dhe punës së përbashkët.
Një pjesë e rëndësishme e programit ishin vizitat studimore në Pejë dhe Prishtinë, ku pjesëmarrësit patën mundësi të njihen nga afër me objekte të vjetra me vlera kulturore dhe historike, të analizojnë karakteristikat e arkitekturës tradicionale dhe bashkëkohore, si dhe të reflektojnë mbi zhvillimin urban dhe perspektivat e arkitekturës së qëndrueshme.
Përmes këtyre aktiviteteve, studentët ndërlidhën njohuritë teorike me përvojat praktike, duke shkëmbyer perspektiva mbi ruajtjen e trashëgimisë arkitekturore, zhvillimin urban dhe të ardhmen e banimit.
Në përmbyllje të aktivitetit, studentët pjesëmarrës u pajisën me certifikata për pjesëmarrje, ndërsa aktiviteti u përmbyll me fjalën përshëndetëse të Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe përvojave të tilla akademike.
Kjo Shkollë Dimërore shënon një tjetër hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, promovimin e shkëmbimit akademik dhe krijimin e lidhjeve të reja ndërmjet studentëve dhe stafit akademik.
Faleminderit të gjithë profesorëve, studentëve dhe partnerëve ndërkombëtarë që kontribuuan në realizimin e suksesshëm të këtij aktiviteti!
UShAF – Together for Knowledge, Innovation and a Sustainable Future!














